Nuk i duan fabrikat e Noviqit në Drenicë

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 08:48 | Nga

Shoqatat e dala nga lufta të Zonës së Drenicës kanë vlerësuar se projekti i ndërtimit të fabrikave në tokën e Llaushës nga një serb fyen rëndë ndjenjat patriotike dhe lëndon rëndë familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët dhe familjet e martirëve të Drenicës

Paralajmërimi se një serb nga Kragujevci, i cili ka lindur në “Aroçe” të Llaushës së Skenderajt dhe që i takon komunitetit rom të besimit ortodoks, ka revoltuar ish-luftëtarët e UÇK-së të Zonës së Drenicës.

Ata kanë reaguar ashpër, të hënën, nëpërmes një komunikate, duke thënë se nuk i duan investimet e serbëve në komunën e tyre.

Edhe pse në fabrikat që ka paralajmëruar për ndërtim investitori Borisav Noviq, do të punojnë shqiptarët, prapë ky qytetar i rritur në Kragujevc, por që biznesin e tij e zhvillon në Francë, nuk pranohet nga ish-guerilët e UÇK-së.

Këta të fundit e quajnë kriminel këtë investitor, ndërkohë pronarin e tokës, një shqiptar, i cili ka lëshuar tokën e tij për t’i ndërtuar dy fabrikat, siç thuhet, njërën për prodhimin e bosh-pompave për automjete, ndërsa tjetrën për prodhimin e vatave higjienike për femra, e kanë cilësuar “tradhtar dhe bashkëpunëtor të serbëve”.

“Jemi shumë të indinjuar, të mllefosur dhe të tmerruar me lajmin se një serb-rom, një kriminel, do të ndërtojë fabrika në Llaushë. A thua ende paska shqiptar që bashkëpunojnë me kriminelët serbë. Ai shqiptari tradhtar dhe krimineli janë të njëjtë. Andaj ne si shoqata që kanë dalë nga lufta e UÇK-së e kundërshtojnë fuqishëm këtë projekt, i cili fyen ndjenjat patriotike dhe lëndon tej mase familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e martirëve të Drenicës”, thuhet në reagim./Zeri/

Të ngjashme