Nuk e dorëzoi pazarin ditor në bankë, Gjykata merr vendim për punonjësin nga Fushë Kosova

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Sh. S. është dënuar me 4 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, i akuzuar se në cilësinë e shitësit ambulantiv, në një firmë, nuk dorëzoi pazarin ditor në bankë, por nga malli i shitur mori për vete para në vlerë 420 euro.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga kryetari i vetëm i trupit gjykues Adnan Kamberii.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, dënimin e shqiptuar me gjobë i akuzuari është detyruar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Sh. S. është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësorë dhe 30 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në mars të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sh.S. akuzohet më 2 mars 2019, në rrugën “Nëna Terezë”, në Fushë Kosovë, në cilësinë e shitësit ambulantiv në një firmë me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, nuk i ka përmbushur detyrimet e veta, në atë mënyrë që nuk e ka bërë dorëzimin e pazarit ditor në bankë dhe nga malli i shitur ai ka marrë për vete para në vlerë prej 420 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i besimit”, nga neni 324, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. 

Të ngjashme