Nuk ka anëtarësim në NATO pa ushtri

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 13:15 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Malazezëve të Kosovës ka mbajtur konferencën rajonale të shoqërisë civile me temë “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Ndikimi në sigurinë rajonale i anëtarësimit të Malit të Zi”. Konferenca kishte për synim të vendos një platformë të diskutimeve profesionale mbi pikëpamjet e shoqërisë civile në raport me sigurinë rajonale, kërcënimet dhe sfidat, sikurse edhe për rolin e zgjerimit të NATO-s në këtë rajon të Evropës.

Aty u tha se anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit dhe po ashtu do të tregonte që gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtim të duhur.

Konteksti i temave për t’u diskutuar ishte:

Derisa Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, Mali i Zi duket se është fazën krejtësisht të fundit për anëtarësim të plotë në NATO. Maqedonia, në anën tjetër, ka humbur mundësinë të bëhet anëtare e NATO-s në vitin 2009 për shkak të çështjes së pazgjidhur me Greçinë në raport me problemi edhe më tutje të hapur bilateral, të njohur si “çështja e emrit të Maqedonisë”.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë, Slobodan Vujiçiq, tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të ndikonte në stabilizimin e rajonit. Ai tha se shpreson që shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do të marrë vendim për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

“Dua të theksoj se ne kosovarët duhet të kemi kujdes kur kemi të bëjmë me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sepse ratifikimi i marrëveshjes është kusht esencial i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të partneritetit strategjik me anëtaren e ardhshme të NATO-s, por edhe me 28 anëtarët e tjerë që përfaqësojnë Aleancën e NATO-s. Pres që ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të miratohet në një afat sa më të shkurtër”, tha ai.

Ndërsa Aleksander Dedoviq nga një qendër studimore në Mal të Zi, tha se anëtarësimin e këtij vendi në NATO e përkrahin 53 për qind e banorëve të këtij shteti.

Nga ana e tij, Wulf Lapins, drejtor i FES në Kosovë, tha se misioni i NATO-s në rajon nuk mund të arrihet pa një reformë të thellë euroatlantike për sa i përket shteteve të Ballkanit.

“Aleanca është duke bërë një angazhim me të gjitha shtetet në rajon, të cilat e shohin NATO-në si ofrues të sigurisë, stabilitetit dhe një mekanizëm të vlerësimit të përzgjedhjeve të veta të vështira politike. Misioni i NATO-s në rajon nuk mund të arrihet pa reforma të thella euroatlantike për sa i përket shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është një realitet i vështirë për përmbushjen e kërkesave të NATO-së që të shpenzohet 2 për qind e GDP-së për çështje të mbrojtjes gjatë dhjetë viteve të ardhshme”, tha ai.

Serbia shihet si vend “ushtarakisht neutral”, megjithëse reformat kryesore strukturore dhe konceptuale të Ushtrisë së Serbisë janë bërë në bazë të përvojave të shteteve anëtare të NATO-s, në njërën anë, dhe ka themeluar njëlloj marrëdhënie speciale ushtarake me Federatën Rusë, në anën tjetër.

Kosova është e orientuar drejt integrimeve Euro-Atlantike dhe synon të bëhet anëtare e plotë e NATO-s, por procesi mund të fillojë vetëm kur të tejkalohen sfidat e saj në krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Prezenca e NATO-s në Kosovë, si udhëheqëse e Misionit Paqe-Ruajtës të OKB-së, daton që nga qershori 1999, derisa trupat e saj janë reduktuar gradualisht. NATO ka një rol të rëndësishëm në trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila do të transformohet në mision ushtarak bazuar në politikat e Kosovës.

Mali i Zi ka marrë ftesën zyrtare për t’iu bashkuar NATO-s dhe, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet shteti i 29-të anëtar i NATO-s në pjesën e parë të vitit 2017.

Konferenca Rajonale e Shoqërisë Civile grumbulloi aktivistët e shoqërisë civile dhe analistët e çështjeve të sigurisë për të diskutuar ndikimin në sigurinë rajonale të anëtarësimit të Malit të Zi, si dhe mësimet që duhet nxjerrë nga shtetet tjera në rajon që janë të orientuara drejt NATO-s.

Të ngjashme