Nuk ka fonde në sektorin e bujqësisë, komunave u mungon sistemi për dhënien e granteve

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 11:44 | Nga Norë Kelmendi

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike bashkë me Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor kanë shqyrtuar raportin e Auditimit të Performancës së procesit të Menaxhimit të Grandeve dhe Subvencioneve në sektorin e bujqësisë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë mbledhje e ftuar ishte edhe ministrja e Bujqësisë, Dijana Zivic, e cila tha se mungesa e subvencioneve në sektorin e bujqësisë shumë shpesh ka nxjerrë situata jo reale.

“Gjatë mandatit unë do të bëj përpjekje që ta zbatoj ligjin. Jemi në procesin e realizimit të të gjitha raporteve të auditimit lidhur me rregullsinë e tyre. Çdo raport ka qëllimin e tij dhe lidhur me secilin raport unë do të punoj veçanërisht. Dua që paraja publike të shkoj aty ku e ka vendin. Lidhur me shumën prej 19 milionë euro për këtë gjithashtu ka pasë problem. Unë në ditët e ardhshme do të nxjerri disa vendime. Mungesa e subvencioneve në sektorin e bujqësisë shumë shpesh ka nxjrrë situata jo reale. Të gjitha kërkesat që i ka dërguar Unioni Evropian i kemi marrë parasysh, por standardet nga auditori nuk janë marrë parasysh”, tha Zivic.

Vlora Spança, ndihmës Auditore e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, tha se për dallim nga vendet e rajonit, Kosova nuk ka pranuar fonde të reja në sektorin e bujqësisë.

Ajo shtoi se Komunat nuk kanë sistem të rregulluar për dhënien e granteve dhe subvencioneve.

“Zyra e kryeministrit, MBZHR-ja dhe disa komuna. Auditimi ka nxjerrë në pah se pavarësisht rritjes së investimeve publike në sektorin e bujqësisë, Qeveria e Kosovës nuk ka arrit synimet kryesore për programin kombëtarë. Për dallim nga vendet e rajonit, Kosova nuk ka pranuar fonde të reja në sektorin e bujqësisë. Komunat nuk kanë sistem të rregulluar për dhënien e granteve dhe subvencioneve. Mungon bashkëpunimi mes komunave dhe ministrisë”, tha ajo, raporton EO.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se sipas raportit të performancës, të gjeturat tregojnë se Qeveria e Kosovës ka shpenzuar rreth 140 milionë euro në sektorin e bujqësisë në nivel qendror dhe atë lokal.

“140 milionë euro janë shfrytëzuar në sektorin e bujqësisë si në nivelin qendror dhe atë lokal. Sipërfaqet e mbjellura me grurë kanë ra rreth 20 për qind. Pyetja është se ka po shkojnë këto subvencione a po shkojnë tek bujqit apo tek dikush tjetër. Ka raste kur fare nuk janë pajisjet në vendin ku janë parapa me qenë”, tha Hoti.

Sipas Hotit udhëzimi administrativ në fuqi për ndarjen e mjeteve financiare, është një udhëzim diskriminues pasi që ndan 80 për qind të subvencioneve për 4 komunat e veriut, ndërsa vetëm 50 për qind për komunat e tjera.

“Është ende në fuqi një udhëzim administrativ goxha diskriminues ku 4 komunave në veri iu ipen 80 për qind të granteve dhe komunave tjera veç 50 për qind. Personave që iu ipet parapagimi rreth 50 për qind ata fare nuk kanë llogari bankare. Udhëzimi administrativ që është diskriminues duhet menjëherë të anulohet”, tha ai, raporton EO.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, tha se ndarja e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës është shqetësuese, pasi që sipas saj ende nuk dihen se ku dhe kujt i janë ndarë ato subvencione.

“Shumë probleme nuk janë prezantuar në këtë raport mendoj që ky raport nuk është i kompletuar edhe pse është një raport i performancës. Ndarja e fondeve në këtë ministri është bërë në dy forma përmes granteve dhe subvencioneve. Për 3 vjet qeveria ka ndarë 131 milionë euro dhe shqetësimi ynë është i madh. Ne e shohim që benifiti apo kthimi i investimeve në teren nuk është”, tha ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme