Numër i kufizuar i inspektorëve për mbikëqyrjen e masave anti-Covid, AUV ka vetëm 11 nga 85 sa i duhen

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 11:25 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë po përballet me mungesë të inspektorëve për mbikëqyrje të suksesshme në terren të masave të fundit anti-Covid, vendosur nga Qeveria.

Zyrtari për informim nga ky institucion, Lamir Thaçi ka njoftuar në një intervistë për Ekonomia Online se aktualisht AUV ka vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore.

“Për momentin ne kemi numër të kufizuar të inspektorëve për të bërë mbikëqyrjen e zbatimit të masave anti-Covid sepse aktiv aktualisht janë vetëm 11 inspektorë gjithë territorin e Kosovës dhe këta po ashtu janë të angazhuar në kontroll të sigurisë ushqimore, të cilën në asnjë moment nuk mund ta lëmë pa mbikëqyrje”, është shprehur ai.

Sipas Thaçit që masat të arrihet të inspektohen siç duhet, AUV ka nevojë për gjithsej 85 inspektorë të terrenit.

Madje ai ka treguar se një kërkesë të tillë tashme e kanë paraqitur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe në momentin që ajo aprovohet, AUV sipas Thaçit është gati për zbatueshmëri të plotë të vendimit.

“Ne kemi paraqitur kërkesë pranë ministrisë së Shëndetësisë për angazhim të një numri tjetër të inspektorëve prej 85 e kemi parë të nevojshme që janë të mjaftueshëm për të bërë mbikëqyrje efektive në terren. Kjo kërkesë është aprovuar dhe presim procedurat që të realizohen shumë shpejt dhe të bëhet rekrutimi i 85 inspektorëve. Në ditën e parë që këta t’i nënshkruajnë kontratat menjëherë do të fillojnë me punën në terren.

“Ne i kemi të gjitha planet, kemi përvojën se si të bëjmë mbikëqyrje efektive të zbatimit të masave anti-Covid, sepse edhe vitin e kaluar ne tërë kohën kemi qenë në terren. Çfarëdo vendimi që vjen nga Qeveria, çfarëdo mase që vendoset dhe urdhri që vije nga ministri apo kryeministri ne jemi të gatshëm që të bëjmë zbatueshmëri”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka thënë se 11 inspektorët e AUV, tashmë kanë dalë në terren dhe që në ditën e parë të punës kanë hasur në shkelje të masave, për të cilat edhe kanë shqiptuar dënime.

“Ne i kemi nxjerrë këta inspektorë që janë aktualisht në terren dhe janë duke punuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Kemi raste kur ka pas shkelje dhe gjithmonë veprimi i autoriteteve nuk ka munguar, në bazë të mandatit që kemi, të bazuar në ligjin anti-Covid ne gjithmonë për shkelësit shqiptojmë masat ndëshkimore”, është shprehur ai.

Thaçi gjithashtu ka premtuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të zbatojnë në përpikëri detyrat që u janë dhënë nga Qeveria.

“Ne jemi autoritete shtetërore dhe nuk mund të na sfidojë askush, jemi të vendosur që urdhrat që vijnë nga ministri dhe kryeministri ato do të jenë detyra për ne dhe ne do ti zbatojmë në përpikëri në terren. Askush nuk mund ta sfidoj autoritetin shtetëror. Ne i kemi gjatë gjithë kohës në bashkëpunim Policinë e Kosovës dhe në secilin rast që paraqitet nevoja ne ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që secili rast të trajtohet në bazë të meritës që i takon”, ka përfunduar ai për EO.

Të ngjashme