Nushi paralajmëron karantinimin e Prishtinës nëse rritet numri i të infektuarve me Coronavirus

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 10:39 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë 24 orëve të fundit 14 persona janë konfirmuar me Coronavirus, duke quar në 884 numrin e të infektuarve në nivel vendi.

Numri prej 14 të infektuarve vjen pas një trendi pozitiv të të shëruarve gjatë ditëve të fundit, ku u shëruan 655 persona.

Edhe pse në Prishtinë mbrëmë u konfirmua vetëm një rast, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se nëse rritet numri i të infektuarve mund të kthen në fuqi masat strikte.

Sipas tij, Prishtina edhe mund të futet në karantinë, por edhe mund të kthehet “ora policore”.

“Duhet të respektohen këto rekomandime që mos të kthehemi në pikën zero, se prape do të kemi karantinë, izolime dhe mbikëqyrje të policisë. Andaj nuk kemi nevojë se deri me tani është respektuar mirë. Komuna do të insistojë në rast se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve, që të vendos prapë masat e karantinës sikurse edhe mbikëqyrja 24 orë e policës. Nuk dëshirojmë që qytetarët të jenë më tepër të infektuar”, ka thënë Nushi.

Nushi potencoi se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po respektojnë rekomandimet e IKShP-së, andaj bëri thirrje që të respektohen këto këshilla që mos të këtë rritje të numrit të të infektuarve.

Ai theksoi se lufta kundrejt Coronavirusit do të vazhdojë deri në fund të vitit.

“Një pjesë e madhe e qytetarëve nuk janë duke respektuar masat, distancimin e as obligimin për mbajtjen e dorezave dhe maskave dhe kjo sjell deri të rastet e reja siç ndodhi tashmë, mund të presim edhe në ditët në vijim që të kemi raste të Coronavirusit”.

“Rastet nuk do të përfundojnë as me datën dy qershor, kjo luftë do të vazhdoj deri në fund të vitit. Nuk kemi asnjë rast në gjendje të rëndë të gjitha janë në vetizolim në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Nënkryetari i Prishtinës ka treguar edhe për gjendjen në të cilën ndodhet Komuna nga rastet e prekura me Covid-19, raporton EO.

“Ne aktualisht deri me tani i kemi 73 të infektuar në tërë territorin e Prishtinës, nga ata 63 janë të shëruar tërësisht, dy raste me fatalitet dhe 8 raste janë aktive. Nga këto 8 raste, vetëm pesë raste i kemi këto tri ditët e fundit, katër raste nga këto vijnë nga Klinika private ‘Sirona’, kurse rasti i mbrëmshëm vjen nga Klinika Gjinekologjike në QKUK”.

“Nuk kemi nevojë me krijua panik këto raste priten, pasi që nga data 4 maj kur kanë hyrë në fuqi masat lehtësuese për të gjithë qytetarët ka një lëvizje të jashtëzakonshme të qytetarëve dhe veturave të cilët dalin pa nevojë. Apeli ynë është që të dalin me doreza e maska dhe të mbajnë distancën. Mbrëmë i kemi dhënë urdhër që për të gjitha rastet për 58 e testimeve që të jenë në lëvizje dhe të kontrollojnë shtëpitë e tyre që mos të shkaktojnë infektim më të madh”, u shpreh Nushi.

Kryeqyteti ka dalë nga karantina me 4 maj, gati një muaj pasi ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka marrë vendim për shpalljen e Prishtinës si zonë karantine, duke ndaluar hyrjet dhe daljet.

Nga data 8 shkurt në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK, janë testuar gjithsej 9 934 mostra të dyshimta dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 884 raste, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor e vitit të kaluar më 10 maj sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4 156 014 raste dhe 282 794 raste të vdekjes.

Të ngjashme