OAK prezanton projektin lidhur me njohjen dhe zbatimin e politikave miqësore për familjen në sektorin privat

Prishtinë | 17 Dhj 2021 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike e Kosovës në kuadër të projektit “Më shumë zgjedhje: Politikat e përgjegjshme gjinore për familjen për sektorin privat” në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) mbajti një tryezë të rrumbullakët me titullin “Njohja dhe zbatimi i politikave miqësore për familjen në sektorin privat në Kosovë”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi në fjalën e tij hyrëse ndau me të pranishmit objektivat që synohen të arrihen përmes projektit të përbashkët me UNFPA dhe përcolli mesazhin tek kompanitë e shumta pjesëmarrëse se qëndrueshmëria e kompanive lidhet ngushtë me familje të shëndosha dhe mirëqenien e shoqërisë. Ndërsa Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA në Kosovë Dr. Visare Mujko Nimani i falënderoi bizneset për pjesëmarrjen në numër aq të madh në këtë ngjarje dhe theksoi se vendet e punës miqësore për familjen kontribuojnë jo vetëm në mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre dhe shoqërisë por edhe në prosperimin e bizneseve dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Në këtë tryezë u prezantua projekti “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen” nga Dea Pallaska O’Shaughnessy, Bashkëpunëtore e Programit në UNFPA dhe koncepti “Vende Pune Miqësore me familjen” nga Era Jashari, Këshilltare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Zhvillim të Shërbimeve në Odën Ekonomike të Kosovës. Pas fjalëve hyrëse dhe prezantimeve, ngjarja vazhdoi me diskutimin në panel që trajtoi njohjen, rëndësinë dhe zbatimin e politikave miqësore për familjen nga kompanitë e sektorit privat dhe pozicionimin e tyre si Vende Pune Miqësore me Familjen. Pjesë e panelit ishin përfaqësues të disa kompanive kampione të cilat janë në procesin e pilotimit të politikave të vendeve të punës miqësore me familjen si dhe znj. Gëzime Hasani nga Rrjeti CSR Kosova.  Kompanitë kampione të cilat janë në procesin e pilotimit të modeleve të vendeve të punës miqësore me familjen janë: Gjirafa, Kivo, Cacttus, Raiffeisen Bank, Kosbit, Super Viva dhe Art House.

Ajo që u dëshmua është se sektori privat ka shumë interes  në implementimin e politikave miqësore për familjen sepse duke krijuar kushte për familje të shëndetshme krijon kushte për vende stabile. Sektori privat ka kuptuar këtë ndërlidhje si shumë të rëndësishme sepse të punësuarit janë shtyllë e rëndësishme për funksionimin e kompanisë dhe mirëqenia e tyre është parakusht për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e kompanive.

Objektiva kryesore e projektit të përbashkët OEK – UNFPA është të krijohet një kuptim i përgjithshëm i politikave miqësore për familjen dhe të angazhohen kompanitë e sektorit privat si pionieret kryesorë të ndryshimit në funksion të avokimit, promovimit dhe implementimit të këtyre politikave.  

Ky aktivitet u realizua me mbështetje financiare nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA),

njësia operacionale e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme