Obiliqi dhe KEK-u në aksion për heqjen e deponive ilegale

Obiliq | 28 Mar 2017 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Obiliqit, në bashkëpunim me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës në vazhdën e projekteve për ndihmë të komunitetit, kanë inspektuar punimet për pastrimin e të gjitha deponive ilegale në këtë komunë.

Makineria për pastrimin e këtyre deponive që u nis nga objekti i Komunës, fillimisht u ndalua  në lagjen “Aliu”, me ç’rast u hoqën të gjitha mbeturinat, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi bëri të ditur se këtë aksion e kanë filluar që nga e premtja, ndërsa tha se kanë vendosur edhe shenjat paralajmëruese për ndalimin e hedhjes së mbeturinave në këto deponi.

“Janë largu disa deponi dhe siç po e shihni kjo është e radhës dhe do të vazhdojmë deri në eliminimin e të gjitha deponive në komunën tonë. Në pjesën më të madhe të zonave ku i kemi pastrua dhe ku janë përcaktuar si deponi i kemi vendos shenjat që ndalohet hedhja e mbeturinave.  Gjithashtu do të bisedojmë edhe me Kompaninë Regjionale që të jetë furnizimi edhe më i mirë edhe me shporta për mbeturina. Do të kërkojmë që ata të shtrijnë rrjetin dhe të jenë më efikas në grumbullimin e mbeturinave që mos të krijohen deponi të tilla”, ka thënë ai.

Kryetari Gashi ka theksuar se Komuna e Obiliqit për çdo vit ndërmerr aksione të tilla.

“Realisht ne çdo vit marrim aksione të tilla duke falënderuar KEK dhe kompaninë regjionale që është në komunën tonë për pastrimin e deponive dhe  një pjesë e madhe janë të pastruara edhe prej më herët mirëpo kjo është një garë për neve që të kemi një ambient më të mirë, më të pastër dhe më të shëndoshë”, ka shtuar kryetari Gashi.

Ndërsa drejtori i zyrës së marrëdhënieve me publikun në KEK, Skënder Bucolli tha se KEK-u me vullnet të plotë iu ka bashkangjitur këtij aktiviteti, duke paralajmëruar edhe aksione të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e mjedisit në këtë komunë.

“Ky projekt është iniciativë edhe e Komunës së Obiliqit por është vetëm një nga projektet që KEK-u ka filluar këtë vit. KEK-u ka filluar edhe me ndriçimin e disa rrugëve bashkërisht me komunën dhe së shpejti do të bëjmë edhe inaugurimin e Parkut të Qytetit. Të gjitha projektet e komunës qe janë për komunitet ne do ti përkrahim”, ka thënë ai.

Këtë aksion të KEK-ut, në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit e kanë përshëndetur edhe banorët e kësaj lagjeje.

Ata u shprehen të lumtur që po largohet kjo deponi për siç thanë pasi që jeta e tyre ka qenë e vështirë.

Afrim Syla banor i kësaj lagje tha se me  heqjen e këtyre mbeturinave ata do të kenë ajër më të pastër afër shtëpive të tyre.

“Këto mbeturina janë që tri vite. Ajri nuk ka qenë aspak i pastër por prapë faleminderit që janë ardhur me i heq. Vështirë është boll sepse nuk mund të jetosh sepse fëmija po dalin dhe po hyjnë nëpër mbeturina . Tash me heqjen e tyre është më mirë ajri më i pastër. Kjo deponi është dashur të largohet më herët”, ka thënë ai.

Aksioni për largimin e deponive ilegale në këtë komunë do të vazhdojë edhe në lagje të tjera.

Të ngjashme