Obiliqi organizon ushtrim për reagim në raste emergjente

Obiliq | 14 Mar 2017 | 15:39 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Obiliqit gjegjësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike Emergjente ka organizuar një trajnim “Ushtrimi fushor veprimi i shpejtë 10 “, në bashkëpunim me Policinë, Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Kryqin e Kuq dhe KFOR-in se si duhet të reagojnë në raste emergjente.

Ndërsa është hera e parë që organizohet një trajnim i tillë ku janë përfshirë edhe KFOR-i si bashkëpunues.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se ky trajnim ka filluar si iniciativë e përbashkët e tyre, e FSK-së, KEK-ut, duke përfshirë edhe ata që merren me siguri, zjarrfikësit e ndihmën e shpejtë.

“Është një aktivitet tre ditor, ku do të praktikohen dhe simulohen situata të ndryshme, keni parë edhe ju gjatë aktivitetit vendosja e shatorreve, salla operative e emergjencës, pastaj janë nxjerrë vendime që të shpallet zonë e rrezikshme gjatë këtij aktiviteti. Është simuluar kinse ka ndodhur një tërmet prej gjashtë ballës dhe nga ai moment është mbledhur të gjithë aktorët të cilët janë të implikuar në këtë trajnim dhe bashkërisht i kemi ndarë detyrat duke vepruar në koordinim”, ka thënë Gashi.

“Ky aktivitet ishte i mirë, sepse këtij ushtrimi iu bashkua edhe KFOR-i për shkak se është paraparë edhe me program”, ka thënë ai.

Kryetari Gashi ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Komuna e Obiliqit bënë një ushtrim për raste të tilla, pasi që siç tha ai, inskenime të tilla janë bërë edhe nëpër shkolla, “por i këtij lloji si sot është i pari pasi që ka qenë me përmasa më të mëdha”.

“Nga aktivitetet e tilla ka mundësi të përfitojnë njohuri të reja të situatave emergjente dhe çdo njohuri është mundësi më e mirë për të kuptuar se si të sillemi në situata emergjente”, ka pohuar ai.

Gërguri shpjegon rrjedhën e ushtrimin fushor

Kurse, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, në Komunën e Obiliqit Burim Gërguri, ka deklaruar se kjo kërkesë i është bërë FSK-së, duke shtuar se më këtë është përmbushur edhe plani i punës vjetore të emergjencave civile.

“Kësi lloj ushtrimesh kemi pasur edhe dy vite më herët, mirëpo është e karakterit të tillë dhe e karakterit të përmasave të tilla nuk ka ndodhur ndonjëherë dhe për fat të mirë kësaj herë është bërë në bashkëpunim me FSK-në dhe komunën e Obiliqit dhe njësitë tjera emergjente civile të cilat operojnë në Komunën e Obliqit”, ka thënë ai.

Gërguri ka shpjeguar edhe mënyrën e rrjedhjes së këtij ushtrimi fushor dhe mënyrën e simulimit kinse të tërmetit që ka ndodhur në këtë komunë.

“Për këtë ushtrim është simulu tërmeti, në shkallë 6 të Rihterit me epiqendër në komunën e Obiliqit, përkatësisht Termocentrali ‘Kosova A3’. Në momentin që kemi marrë një informacion nga Qendra Emergjente 112 atëherë kemi dërguar zyrtarët emergjentë për të verifikuar gjendjen. Pas verifikimit të gjendjes e kemi parë që gjendja është e acaruar atëherë sipas urdhrave dhe sipas ligjeve në fuqi kemi urdhëruar që kryetari i komunës të formojë Qendrën Operative Emergjente Lokale me të gjitha mekanizmat përcjellës dhe atëherë në bashkëpunim me Qendrën, drejtoria ka vendosur edhe qendra operative lokale dhe spitalin fushor për të mjekuar të lënduarit nga aksidenti”, ka pohuar Gërguri.

Të gjithë trupat duke përfshirë, FSK-në, Kryqin e Kuq, zjarrfikësit e Policinë kanë inskenuar kinse ka ndodhur një tërmet dhe se në Termocentralin “Kosova A” ka ndodhur një shpërthim dhe janë lënduar disa punëtorë.

Me të marrë këtë informatë të gjitha ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që t’i nxjerrin këta persona nga depoja ku edhe kishte ndodhur shpërthimi, duke i sjellë në spitalin fushor që ishte inskenuar afër termocentralit.

Pas kësaj po ashtu është simuluar edhe një aksident ku si pasojë e lëndimeve që kanë marrë personat në veturë, Shtabi Emergjent përmes FSK-së është detyruar të kërkojë ndihmë edhe nga KFOR-i, me ç’rast këta të fundit kanë ardhur me helikopterë dhe kanë bartur me vete për trajtim personat e lënduar.

Trajnimi fushor do të zgjasë tri ditë.

Image may contain: 1 person, standing, sky, grass, tree, outdoor and natureImage may contain: sky, tree, cloud, outdoor and nature Image may contain: sky, car and outdoor

Të ngjashme