Oda e Hotelerisë ultimatum Qeverisë deri të premten, paralajmërohen protesta të ashpra

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 09:43 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva po e sheh si një nevojë imediate lirimin e masave, mbajtjen e ahengjeve dhe aktiviteteve të tjera në këtë sektor.

Ai në një deklaratë për Ekonomia Online tha se nuk do të presin pafund dhe se ultimatumi i fundit është deri të premten, ose nuk përjashtohen edhe protesta të ashpra.

“Na nuk do të presim pafund, normalisht do të presim deri nga e premtja eventualisht vikendin. Ne kemi organet e odës dhe nuk përjashtojmë edhe protesta më të ashpra apo edhe forma tjera”.

Tutje Sogojeva thotë se që të mos vinë deri te protestat kanë zhvilluar edhe takim me ministrat përkatës, por që nuk kanë marrë akoma përgjigje.

“Për mos me ardhë deri tek protestat ju kemi drejtuar kryeministrisë dhe ministrave që me gjet një rrugë të përbashkët me komunikim dhe bashkëpunim. Takimi ka qenë shumë konstruktiv dhe jemi dakorduar që të realizohen kërkesat tona”, tha ai.

Madje sipas tij, nuk kërkojnë që të bëjnë hapa që mund të bien ndesh me masat, por që tashmë nuk ka arsye që të jenë prezentë kufizimet.

“Ne si Odë e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, jemi një organizatë serioze, nuk duam të bëjmë hapa që bien në kundërshtim me realitetin. Prandaj kemi kërkuar gjithmonë bashkëpunim, në mënyrë që të shpëtohet ajo çka është e më e mira për biznesin, por në anën tjetër të ruhet dhe shëndeti, sepse ne gjithmonë kemi thënë që shëndeti është mbi të gjitha”.

“Por, duke marrë parasysh që tash kemi numër të ultë të rasteve, duke marrë parasysh që rajoni është hapur, të gjithë përreth neve, por edhe pjesa evropiane, dhe në botë, nuk ka më arsye që të ekzistojë ora policore, të ekzistojë kufizimi i orarit, nuk ka më arsye të mos fillojnë ahengjet e ndryshme. Me kusht që të kontrollohen dhe asnjë person të mos lejohet të hyjë në lokalet e mbyllura pa e pasur dëshminë e vaksinës”.

Sogojeva tha se çdo hapje apo lirim masash ka zhvilluar edhe bizneset, duke kërkuar që të të punohet në rimëkëmbjen ekonomike pa të cilën shumë biznese nuk mund të mbijetojnë, raporton EO.

“Çdo hapje i mundëson që bizneset të zhvillohen, dhe ne kemi kërkuar që Ligji mbi rimëkëmbjen ekonomike të rifunksionalizohet sepse pa mjete shumë biznese nuk mund të mbesin gjallë”, përfundoi ai.

Të ngjashme