ODK: Pushteti ekzekutiv i Kosovës, i fundit në rajon për transparencë

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 11:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata joqeveritare “Open Data Kosovo” ka lansuar analizën “Qeverisja e Hapur e Pushtetit Ekzekutiv në rajon dhe në Kosovë”, e cila analizon nivelin e transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së pushtetit ekzekutiv në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përfshin propozime për përmirësimin e gjendjes aktuale.

Blerta Thaçi, drejtoreshë ekzekutive e “Open Data Kosovo” tregoi për projektin ActionSee.

“Projekti ActionSee është një projekt regjional i cili na ka ndihmu shumë që të kemi praktika të ndryshme të konceptit të të dhënave të hapura, të llogaridhënies, si ta mbështesim ne sa më mirë qeverinë tonë në kuadër të punës si organizatë në të cilën misioni është që të ndihmojmë me ekspertizën e teknologjisë dhe zgjidhjeve digjitale”.

Libor Chlad, zëvendësshef i Seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë tha se qytetarëve të Kosovës duhet t’u mundësohet qasja në dokumentet zyrtare, raporton Ekonomia Online.

“Kemi marrë disa veprime për t’u siguruar se publiku po konsultohet. Ka akterë që kalojnë kohë të gjatë në fushën kibernetike duke i bërë të qasshme gjërat për publikun. Kemi thënë se e njëjta vlen edhe për menaxhimin e  parasë. Kemi punuar me ministrin Yagcilar për të arritur kapacitetin e Administratës Publike për ta analizuar fushëveprimin e kësaj administrate. Kemi shumë agjenci ekzistuese në Kosovë. Shumë nga to janë të pavarura, por duhet të dimë a ekziston koncepti i pavarur”.

Sipas tij, duhet të ketë një mekanizëm që e kontrollon ligjin që siguron qasje në dokumente publike.

“Mund të themi se është bërë shumë, por ende ka mbetur për t’u bërë. Kemi një ligj që siguron qasjen në dokumente publike dhe duhet ta kemi një mekanizëm që e kontrollon atë ligj. Disa institucione janë më mirë në këtë aspekt, disa më keq”.

Chlad tha se element tjetër i rëndësishëm është mënjanimi i situatave kur ka konflikt interesi, raporton EO.

“Element tjetër i rëndësishëm është parandalimi i konfliktit të interesit i cili është i dukshëm. Duhet t’i mënjanojmë situatat kur ka konflikt interesi”.

“Kemi tri draftligje që janë në parlament dhe shpresojmë se do të na ndihmojnë ta marrim një hap që ta paraqesim një natyrë të Administratës Publike në Kosovë dhe ta zhvillojmë sa u përket shërbyesve civilë”.

Mahir Yagcilar, ministër në Ministrinë e Administratës Publike foli për rëndësinë që ka hapja e të dhënave në llogaridhënie dhe transparencë.

“Hapja e të dhënave përveç që forcon transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, sjell shumë përfitime pozitive për qytetarët, bizneset dhe sektorin publik, sepse hapja e të dhënave është më shumë se transparencë, më shumë se qasje në dokumente zyrtare. Është mundësia që përmes përpunimit të të dhënave të bëhen analiza, monitorimi, krijimi i politikave dhe përmes këtyre edhe krijimi i aftësive afariste biznesore”.

“Administrata Publike duhet ta ofrojë mundësinë për qytetarët, shoqërinë civile, komunitetin e biznesit që të kontribuojë në procesin e bërjes së politikave dhe  të vendimmarrjes. Nëse duam që qytetarët të marrin pjesë në mënyrë kuptimplote në procesin vendimmarrës ata duhet të informohen e të kenë qasje në të dhëna”.

“Në fillim të këtij muaji kemi lansuar portalin e ri i dizajnuar për të dhëna të hapura. Aktualisht kemi 106 asete të publikuara në portal për të dhëna të hapura. Në mesin e tyre kemi publikuar për herë të parë grupin e të dhënave për gjendjen e shërbimit civil”.

“Si ministri kemi filluar publikimin e të dhënave financiare, përkatësisht të shpenzimeve të rregullta mujore. Kemi filluar procesin e digjitalizimit të të dhënave nëpër ministri të Qeverisë së Kosovës”.

Blerina Ramaj, koordinatore e projektit ActionSee në Kosovë, ka prezantuar të gjeturat e matjes së Indeksit Rajonal të Hapjes në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

Në bazë të rezultateve, del se Kosova ka problem në qasshmërinë, e cila lidhet me respektimin e procedurave për qasjen e lirë në informata.

“Te qasshmëria në informatë te pushteti ekzekutiv në përgjithësi është shumë e ulët, vetëm nga 39%. Edhe pse ekziston ligji për qasjen në dokumentet publike. Nuk ka ndonjë mekanizëm që rregullon bashkëpunimin e organizatave me shoqëri civile, por edhe të qytetarëve të thjeshtë”.

“Në bazë të integritetit, ekziston një kod i etikës dhe parandalimi i konfliktit të interesit, por që shumica e zyrtarëve nuk janë të informuar si funksionojnë ato”.

“Transparenca matet në mes të tre komponentëve: informacioni organizativ, prokurimi publik dhe transparenca buxhetore. Kosova ka shënuar vetëm 29% në bazë të këtyre indikatorëve, duke u renditur e fundit në rajon”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme