OJQ-të e Ballkanit Perëndimor kërkojnë hapa më të shpejtë për anëtarësim në BE para Samitit të Zagrebit

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

Përpara Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb, ku krerët e vendeve anëtare të BE-së dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor do të takohen nën presidencën kroate të Këshillit të BE-së për të diskutuar një perspektivë të re për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të bëhen anëtare të BE-së, më 6 maj, shoqëria civile kroate nën koordinimin e CROSOL dhe OJQ-të nga rajoni vendosën të dërgojnë mesazhin e shoqërisë civile drejtuesve përmes Deklaratës së OJQ-së mbi Samitin e Zagrebit BE-Ballkan Perëndimor “Me ose Pa (E) U?” për të siguruar që zëri i OJQ-ve të përfshihet.

Më shumë se 90 OJQ udhëheqëse kërkojnë në deklaratën e tyre që krerët e shteteve ose qeveritë e shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor të intensifikojnë dhe përshpejtojnë negociatat dhe zbatimin e reformave në procesin e përafrimit me acquis communautaire, veçanërisht në fushat e të drejtave dhe lirive themelore, gjyqësorit, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, njofton Klan Kosova.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen për zbatimin e vërtetë të reformave në mënyrë që të arrijnë ndryshime të qëndrueshme institucionale dhe sociale, ndërsa Bashkimi Europian duhet të jetë parimor në vlerësimin e progresit. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet forcimit të bashkëpunimit midis vendeve në lidhje me fatin e personave të zhdukur, forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efikasitetit të ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe mbështetjen e nismave të tjera të drejtësisë kalimtare, veçanërisht ato që rrjedhin nga shoqëria civile, si KOMRA “, thuhet në deklaratë duke theksuar se kjo është një nga parakushtet për ndërtimin e besimit midis shteteve dhe shoqërive në Ballkanin Perëndimor.

Në të njëjtën kohë thuhet se çdo vonesë ose shtyrje nga BE-ja në trajtimin e çështjeve të sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë brenda vendeve të saj anëtare, kanë pasoja jashtëzakonisht negative në procesin e demokratizimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se si rezultat, ata presin që BE-ja të tregojë përkushtimin e saj ndaj vlerave themelore të saj – jo vetëm përmes deklaratave të përgjithshme simbolike, por përmes veprimeve konkrete.

Të ngjashme