OJQ-të e Gjakovës kërkojnë largimin e gruas me nënshtetësi serbe

Prishtinë | 27 Qer 2021 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Njëmbëdhjetë organizata joqeveritare të Komunës së Gjakovës, do të dorëzojnë të hënën një peticion në Qeverinë e Kosovës, ku do të kërkohet të ndërmerren masat ligjore dhe sa më shpejtë, që të largohet gruaja me nënshtetësi serbe, e cila është kthyer për të jetuar në Gjakovë, pasi theksojnë se kjo komunë ende i ka të hapura varret duke prit rikthimin e eshtrave të bijve dhe bijave të tyre.

Sipas një njoftimi të organizatave, Gjakova nuk është e gatshme të pres rikthimin e serbëve, derisa të kthehen eshtrat e fundit të më të dashurve të tyre.

“Peticioni do të dorëzohet kryeministrit Kurti, kryeparlamentarit Konjufca, ministres së Drejtësisë Haxhiu, ministres për Punë të Jashtme Gërvalla, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ky peticion është iniciuar nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve – Dega Gjakovë, Shoqata e Invalidëve të Luftës – Dega Gjakovë, Organizata e Veteranëve të Luftës – Dega Gjakovë, Shoqata e Krimeve të Luftës Gjakova 98-99, MK – Medika Kosova, IFK – Iniciativa e Femrës Kosovare, KVRL – Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, Shoqata e ish të burgosurve politikë, SHEPF – Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes, SHA – Shoqata e Gruas, Shtëpia e Sigurt Gjakovë DHE Gjok Sokoli – Korenicë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë në raportin e Policisë thuhet se dje janë arrestuar dy persona pasi kishin vendosur fotografi të luftës së vitit 1999 në murin e korridorit përballë banesës së ankueses.

“Gjakovë 26.06.2021 – 17:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kishin vendosur fotografi të luftës së vitit 1999 në murin e korridorit, përball banesës së ankueses. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë. Policia e ka cilësuar këtë si nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Të ngjashme