OJQ-të, jo aktive me projekte

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 15:42 | Nga

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, ka mbajtur dëgjim publik lidhur me amendamentimin e Projektligjit për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare.

Në këtë takim të pranishëm ishin organizata nga shoqëria civile, përfaqësues të Ministrisë së Administratës Publike etj.

Kryetari i komisionit, Nait Hasani, duke folur për qëllimin e këtij dëgjimi publik, tha se nëpërmjet tij synohet të merren vërejtjet dhe sugjerimet nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat mund të kenë lidhje me projektligjin.

Përfaqësuesi i grupit punues nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Taulant Hoxha, hartimin e këtij projektligji e konsideroi rezultat të punës njëvjeçare të grupit punues. Sipas tij, procesi i hartimit të projektligjit ka qenë ndër bashkëpunimet më të mira mes qeverise dhe shoqërisë civile. Ai po ashtu e cilësoi projektligjin të detajuar dhe praktik, krahasuar me ligjin e mëparshëm.

Deputeti Sami Kurteshi, pjesëmarrës në këtë debat, dha disa vërejtje lidhur me përkufizimet në nene të caktuara, si dhe të aspektit gjuhësor.

Bekim Salihu, përfaqësues i GAP-it, pohoi se hartimi i projektligjit ka qenë proces gjithëpërfshirës dhe sipas tij, ka trajtuar të gjitha OJQ-të, si ato aktive, ashtu edhe ato pasive.

Nga diskutuesit u shqyrtua edhe çështja e numrit të madh të OJQ-ve të regjistruara, të cilat nuk janë aktive me projekte. Për këtë çështje u angazhuan në diskutim edhe anëtarët e komisionit dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile. U dakordua që kjo çështje të rregullohet me ligj dhe të jetë në interes dhe funksion të shoqërisë civile.

Të ngjashme