Opozita në Fushë-Kosovë dyshon për keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi

Prishtinë | 29 Jan 2021 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Dyshime për keqpërdorim të subvencioneve në bujqësi kanë ngritur këshilltarët opozitarë në Fushë-Kosovë.

Ata kanë thënë se pushteti në këtë komunë asnjëherë nuk i ka kontrolluar përfituesit e këtyre subvencioneve nëse i kanë përdorur apo i kanë shitur.

Gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal ku është marrë vendim për ndarjen e afro 300 mijë eurove subvencione, opozitarët kanë kritikuar edhe mënyrën e subvencionimit.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Durim Hajra, ka thënë se me vite të tëra u vije e njëjta tabelë e subvencioneve. Sipas tij, kjo mënyrë nuk ndikon në zhvillim të fushës së bujqësisë, por bëhet vetëm me qëllim elektoral.

“A ka mundësi me i tregu efektet që kanë pasur këto subvencione për këto vjet. Dhe a ka mundësi që ende me pas efekt ky lloj subvencionimi. Neve nuk na ke sjellë asnjë dokument që me pa nëse subvencionet e deritashme kanë pasur ndonjë efekt në zhvillimin e bujqësisë, por edhe në rritjen e mirëqenies qytetare. Duhet të jetë kërkesë më e kompletuar. Është viti i katërt që e kemi kërkuar raportin mbi efektet në ekonomitë familjare nga këto subvencione”, ka thënë Durim Hajra. “Pastaj duhet mbikëqyrja, ia keni dhënë moto-kultivatorin edhe nuk keni shkuar asnjëherë me pa a i ka ndihmuar diçka apo e ka shitur atë. Pastaj duhet që të ketë databazë, e mos me iu ndihmu të njëjtëve disa herë e disa tjerëve asnjëherë. Kjo mënyrë nuk është zhvillim po ndihmë sociale. Në vend të serave duhet të bëhet një pikë grumbulluese. Kemi propozuar të ndihmohen kultura të caktuara. Këto propozime i kemi dhënë që 4 vjet rresht”.

Edhe këshilltari nga radhët e PSD-së, Mehdi Lahu, ka thënë se nuk duhet të ndihmohen fermerët në këtë mënyrë. Sipas tij, dhënia e subvencioneve duhet të bëhet për ata fermerë që e sjellin projektin.

“A i kanë këta përfitues këto mjete që i kanë marrë më herët, apo i kanë keqpërdorur. Propozoj që të formohet një komision, ku dy prej anëtarëve të jenë nga opozita dhe të shohim a i kanë shfrytëzuar apo veç i kanë keqpërdorur. Kjo do të eliminonte shumë përfitues që nuk e kanë qëllimin të punojnë, po vetëm t’i shesin”, ka thënë Lahu.

Ndërsa, Migjen Kolshi nga Iniciativa Qytetare ka thënë se kjo formë e shpërndarjes së subvencioneve është dashur të ndërpritet para 3 vjetësh.

“Duhet me i lanë moto-kultivatorët, e ato tjerat. Merrni shembull edhe nga komunat tjera. Me këto sera, jeni duke i përdor për disa arsye tjera. Unë do të abstenoj”, ka thënë ai.

Edhe Aida Alimi nga PDK-ja e ka kritikuar këtë formë të subvencionimit dhe ka kërkuar edhe ajo formimin e një komisioni që të shihet se kujt po i jepen këto subvencione.

I vetmi që e ka mbështetur këtë propozim ka qenë këshilltari i partisë në pushtet (LDK), Sabit Bullatovci. Ai ka thënë se banorëve të fshatrave të Fushë-Kosovës u është vjedhur mekanizmi bujqësor në një vlerë disa miliona eurosh dhe se këto ndihma janë shumë të mirëseardhura për ta.

“Unë në vitin ’99 asnjë mekanizim bujqësor nuk e kam gjet në shtëpinë time. Jo, jo ka zhvillim të hatashëm. Nëse ka keqpërdorime, ne duhet me i zbulu, jo vetëm me fol. Këtu kot folim ne. Kjo nuk duhet me u ndërpre”.

Ndërkohë, nënkryetari i Komunës, Fadil Krasniqi, ka thënë se është një ndryshim prej vitit të kaluar.

“Kemi më pak mjete për sera e më shumë për mekanizëm bujqësor. Komuna nuk mundet me kriju kompani për grumbullim. Asnjëherë nuk kam thanë për zhvillim, po ne i ndihmojmë ekonomive familjare aq sa kemi mundësi. Unë e di që janë të dhënat dhe dihet kush janë përfituesit. Ne kemi pasur edhe auditorin dhe ata vetë kanë zgjedhur kë të verifikojnë”, ka thënë ai.

Në kerkesën e drejtorit për Bujqësi, Mehmet Gërguri i kërkohet Kuvendit Komunal që të marrë vendim për shpenzimin e mjeteve nga kodi i participimit, subvencioneve dhe transfereve në vlerë prej 273 mijë euro për zhvillimin e bujqësisë si kontribut për ekonomitë familjare me një shtrirje të gjerë për të rritur mirëqenien individuale, familjare dhe kolektive të banorëve të komunës.

Për serra është ndarë shuma prej 45 mijë euro, për moto-kultivatorë 60 mijë euro, shpërndarëse plehu (ciklon) 5 mijë euro, mekanizëm bujqësor 100 mijë, pajisje bletare 10 mijë euro, mulli 8 mijë euro, spërkatëse traktori 15 mijë euro.

Për të gjitha këto, fermerët duhet të paguajnë 20 për qind të shumës. Po ashtu janë paraparë 20 mijë euro për foli, pleh azotik 10 mijë euro. Kjo kërkesë e Drejtorisë së Bujqësisë është miratuar me shumicë votash.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme