Orët plotësuese jo edhe aq efektive, kërkohet që mësimdhënia të jetë fokus për vitin shkollor 2021-22

Prishtinë | 04 Kor 2021 | 08:03 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbajtja e orëve plotësuese nuk ka pasur efekt të madh në kompensimin e mësimit të humbur. Ekspertët e arsimit thonë se fokusi për vitin shkollor 2021-2022 duhet të jetë në ngritjen e nivelit të mësimdhënies, raporton Ekonomia Online.

Për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa I-V), mësimi plotësues është organizuar në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikë, ndërsa për nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX) dhe të arsimit të mesëm të lartë (X-XII), mësimi është organizuar në lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore.

Drejtori i Institutit për Studime të Arsimit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha se në këtë vit shkollor vëmendja nuk ka qenë të cilësia e mësimdhënies por te pandemia.

“Ky vit shkollor me të gjitha këto peripeci e plotë mangësi arriti të përfundoj disi, mirëpo këto mangësi u shfaqën edhe si cilësi në proces të mësimdhënies pra kalimi i vazhdueshëm mes skenarëve, ndërprerja e hershme bashkë me procesin mësimor, jo përgatitja e mësimdhënësve për mësimin online, e gjitha këto kanë kontribuar që të shpërqendrohet vëmendja prej cilësisë dhe të kthehet në preokupim pandemia vetëm. E kjo pastaj u mbartë tutje edhe në rezultate të nxënies të këtyre nxënësve”.

Tutje, Qehaja thotë se orët plotësuese nuk e kanë pasur shumë efekt, pasi sipas tij duhet të bëhet punë individuale me secilin nxënës.

“Ne nuk vlerësojmë që orët plotësuese kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në përmirësim të asaj ngecje, ne vlerësojmë që ngecja është individuale dhe reagimi duhet me qenë shumë individual nga mësimdhënësi karshi atyre nxënëseve që kanë pasur ngecje. Pra sa do që qëllimi është i mirë që institucionalisht të organizohet mësimi plotësues, mirëpo ky mësim plotësues ka kuptim nëse mësimdhënësi e ka vullnetin dhe identifikon me saktësi se kush janë të metat tek nxënësit dhe u ofron kundërpërgjigje ndaj atyre mangësive, e që kjo nuk ka ndodhur fatkeqësisht. Ky jo përkushtimi i mësimdhënësve është mbart tutje”.

Sipas Qehajës, fokusimi për vitin e ardhshëm shkollor duhet të jetë tek përmirësimi i mësimdhënies.

“Përkushtimi për vitin e ardhshëm duhet të jetë cilësia në mësimdhënie, të rikuperojmë atë çfarë kemi humbur për një vit e gjysmë shkollor, në mënyrë që nxënësit të mos humbasin tutje, pra përkundër situatës epidemiologjike. Unë vlerësoj që përkushtimi institucional duhet të jetë në mësimdhënie vetëm. Masa dhe kufizime të arsyeshme, mirëpo jo të preket dhe të cungohet procesi mësimor, deri në atë mas që ka dëshmuar që ka prekur në thelb të cilësisë së mësimnxënies dhe mësimdhënies”.

Ndërsa, Ismet potera nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, thotë se ky vit shkollor nuk mund të quhet i dështuar. Sipas tij është bërë mjaftueshëm duke u bazuar në rrethanat që është përcjell ky vit mësimor.
“Me fol për vit suksesshëm kur dihet në çfarë rrethanash është zhvilluar procesi mësimor, është absurde. Por, megjithatë, falë angazhimit që kanë bërë mësimdhënësit, prindërit dhe institucionet në përgjithësi, mund të jemi të kënaqur që arritëm deri në fund të këtij viti”.

“Nëse duam të mësojmë janë të shumta, e para që është parë edhe në hulumtimet që kemi bërë, një pjesë e madhe e prindërve janë vetëdijesuar mbi rolin e tyre që kanë në edukimin e fëmijëve, sidomos në pjesën kur ata ishin në shtëpi. E dyta kemi mësuar edhe diçka të rëndësishëm, që teknologjia nuk qenka vetëm për mesazhe, por edhe një mjet i pazëvendësueshëm edhe për mësimdhënie edhe për të nxënë. Këto janë disa aspekte që duhet t’i kemi parasysh se si të veprojmë në situata të tilla. Është diçka shumë pozitive, pasi u dëshmua që kur duam mund të mobilizohemi shumë shpejt për të bërë diçka të mirë për nxënësit. Kjo u pa edhe në vlerësimet që janë bërë, po kjo nuk mund të quhet se kemi dështuar, kemi arritur aq sa kanë lejuar kushtet dhe rrethanat”.

Potera thotë se mësimi i humbur nuk do të mund të zëvendësohet 100 për qind.

“Ajo që humbet nuk mund të zëvendësohet kurrë 100%, por megjithatë edhe mësime plotësuese janë mbajt edhe më herët për grupet fëmijësh që kanë pasur ngecje, por ende nuk mund të flasim në përmbushjen e detyrimeve që ka mësuesi dhe nxënësit të programit mësimor, por megjithatë diçka është kompensuar. Sipas të dhënave që kemi shumica e shkollave i kanë majtë orët plotësues”.

“Edhe institucionet edhe shkollat duhet ta dinë sesi do të vazhdoj viti i ri mësimor, a do të kemi pandemi apo jo. Varësisht nga kjo edhe duhet të përgatitemi për fillimin e vitit të ri mësimor. Besoj që institucionet i kanë parasysh që mund të ketë edhe probleme të tjera. Skenarët tashmë veç i dimë. Sa i përket përgatitjeve, unë jam ithtar i asaj që të shtrihen dhe t’u ndahen përgjegjësitë në nivel shkolle dhe në nivel komuna, që ata të merren me organizimin në bazë të rrethanave që vepron shkolla”.
Në valën e parë të pandemisë së Coronavirusit, pranverën e kaluar, mësimi në të gjitha nivelet në Kosovë është zhvilluar online për disa muaj.
Mësimi ka kaluar në distancë edhe në faza të tjera të pandemisë, varësisht masave që kanë ndërmarrë autoritetet për frenimin e Coronavirusit.
Për herë të fundit, nxënësit e arsimit parauniversitar – përjashtuar ciklin e ulët nga klasa e parë deri në të pestën – kanë mbajtur mësim online nga data 12 prill deri më 18 prill, 2021.

Të ngjashme