Organizata për Media e Europës Juglindore i del në mbrojtje RTK-së, kërkon t’i largohet presioni politik

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Organizata për Media e Evropës Juglindore me seli në Vjenë, SEEMO, shpreh shqetësimin për faktin se transmetuesi publik, Radio Televizioni i Kosovës, vazhdon të jetë subjekt i presionit politik në Kosovë.

Problemi kryesor në këtë drejtim është dështimi për të gjetur një mënyrë të qëndrueshme për të financuar transmetuesin publik, pasi RTK ende financohet nga buxheti i shtetit, duke rrezikuar pavarësinë e saj editoriale dhe institucionale.

Neni 4 i Ligjit për RTK përcakton se: “Kuvendi duhet të sigurojë autonominë institucionale dhe financimin e duhur në funksion të shërbimit publik të RTK që është misioni i tij”. Sidoqoftë, në përputhje me situatën në këtë moment, RTK ende nuk ka marrë alokimin e pritur nga buxheti për mbarëvajtjen e punës dhe misionit në shërbim të shoqërisë. Kuvendi i Kosovës duhet të sigurojë autonominë institucionale dhe financimin e duhur për ekzekutimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së.

SEEMO është gjithashtu i alarmuar për faktin se sipas planeve për vitin 2022, Qeveria po planifikon të shkurtojë buxhetin aktual të RTK-së nga 11,2 në 8,96 milion euro. Në vitin 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi një projektligj të ri për RTK, i cili përfshin një mekanizëm të financimit të përzier, kryesisht nga parapagimi – 2.50 EUR për familje që do të mblidhen përmes faturave të energjisë elektrike dhe një përqindje të vogël (0.4%) të buxhetit të shtetit. Sidoqoftë, lidhur me këtë draft asgjë nuk ka lëvizur. Ashtë prioritet përmirësimi i Ligjit të RTK-së dhe krijimin e një kornize të qëndrueshme ligjore dhe financiare, e cila do të mundësojë zhvillimin e Shërbimit Publik të Medias në Kosovë.

RTK do të luajë rolin e vet të rëndësishëm për informimin e qytetarëve, përfshirë arsimin dhe argëtimin, veçanërisht në pandemi. Pa financim të duhur, transmetuesi publik nuk mund të përmbushë detyrat e gjera për shoqërinë, përfshirë shërbimin ndaj pakicave dhe grupeve të ndjeshme. SEEMO gjithashtu është shumë e shqetësuar nga propozimi i raportimit tremujor në Parlament, i cili besojmë se e ekspozon RTK-në nën ndërhyrje të mundshme politike. RTK duhet të raportojë në Parlament çdo vit siç parashikohet në ligj.

Raportimi vjetor përmbush plotësisht nevojat për verifikimin e shpenzimeve dhe realizimin e detyrimeve. Presioni shtesë mbi RTK është formulimi vijues: “Komisioni nënvizon që shpenzimet për periudhën Prill-Qershor duhet të jenë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe nuk mund të përdoren për shpenzimet e detyrimeve paraprake pa miratimin e ndryshimeve në Projeksionin 2021” . Kjo e lë RTK-në në pozicionin që përmbaruesit mund të bllokojnë llogarinë bankare të RTK-së edhe pse RTK ka një program të planifikuar të kthimit të borxhit. Së fundmi, Agjencia e Privatizimit e Kosovës po fillon një procedurë për të privatizuar ndërtesën e RTK-së.

Ne e nxisim Kuvendin e Kosovës të gjejë një zgjidhje që do t’i mundësojë RTK-së të kryejë punën e vet në interes të publikut dhe të mos pengohet nga ky zhvillim i ri. RTK duhet të punojë pa ndërprerje në program dhe pa ndonjë ndikim të jashtëm në transmetim.

Ne dëshirojmë t’u rikujtojmë politikanëve në Kosovë, përfshirë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Presidentes së Kosovës, Kryeministrit të Kosovës dhe të gjithë ministrave, se liria e shprehjes, liria e mediave dhe liria e informacionit janë të drejtat themelore të çdo shoqërie demokratike, përmes së cilës qytetarët mund të marrin dhe të japin informacione mbi një sërë temash, dhe në lidhje me çështje me rëndësi publike. Deputetët t ose ministrat dhe politikanë të tjerë nga partia në pushtet dhe nga opozita në Kosovë, nuk mund të kenë ndikim në përmbajtjen e programeve / politikës editoriale të Transmetuesit Publik RTK.

Pavarësia institucionale është një parakusht absolut për besimin e publikut në Mediat e Shërbimit Publik. Pavarësia është një nga parimet më të rëndësishme të ngulitura në çdo demokraci dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Transmetuesit e shërbimeve publike duhet të jenë një burim i rëndësishëm publik i informacionit të paanshëm dhe opinioneve të ndryshme politike.

Të ngjashme