OShP-ja dhe Ambasada Britanike me memorandum për ngritje të transparencës publike

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 14:38 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organi Shqyrtues i Prokurimit përfaqësuar nga kryetari Blerim Dina dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësuar nga ambasadori i Britanisë, Ruairi O’Connell, kanë nënshkruar memorandum të mirëkuptimit që ka për qëllim ngritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike të OShP-së, raporton Ekonomia Online.

O’Connell tha se prokurimi publik ka rëndësi të veçantë në funksionimin e shtetit.

Ai tha se shpreson që ky bashkëpunim të tejkalojë sfidat dhe vështirësitë që OShP-ja ka pasur në të kaluarën.

“Nuk është sekret që prokurimi publik në Kosovë ka qenë problematik. Është e rëndësishme për Kosovën dhe partnerët që prokurimi të ndreqet. 60 për qind e tatimeve prej tatimpaguesve të Kosovës shpenzohen sipas prokurimit publik”.

“Nëse ky sistem nuk funksionon nuk ka shanse që këto tatime të përdoren siç duhet, nuk ka shanse që qytetarët do kenë qasje në shërbimet që meritojnë dhe nuk ka shanse të ketë demokraci të shëndoshë sepse krejt kjo masë e tatimeve do keqpërdorët si politike. Ne kuptojmë sa e vështirë dhe e ndjeshme është detyra e OShP-së”.

“Në të kaluarën OShP-ja ka pasë probleme. Ka pasur problem me profesionalizmin, me vendimet që në një rast vendoset në një mënyrë, në një rast tjetër në mënyrë tjetër. Ky është problem. Shpresojmë që me fillimin e bashkëpunimit mes nesh, mund të kemi arsye për shpresë në këtë fushë”, tha ai.

Ambasadori britanik shtoi se në bordin e OShP-së duhet të zgjedhën njerëz në bazë të meritës dhe jo në atë të interesit të individëve.

“Duhet të ketë në bord njerëz në bazë të meritës pas proceseve transparente duke mos i bërë favore askujt, por sipas interesit të Kosovës e jo të individëve. Vendimi i qeverisë për të përsosë projektin tonë të rekrutimit, shpresojmë se në fund Qeveria dhe Kuvendi do respektojnë vendimet e projektit, nëse jo kjo është faji i tyre”.

“Ne kemi pasë disa suksese me projektin. Vendimi i qeverisë për të përdorur projektin tonë është i mirëseardhur. Shpresojmë të kemi njerëz në bord të OShP-së në bazë të meritës. E rëndësishme është edhe bashkëpunimi sot me institucionin”.

“Përmirësimi i cilësisë së vendimeve është e rëndësishme sepse një vendim duhet të ketë të njëjtin shqyrtim si në procese tjera. Sistemi i Kosovës mund të funksionoj vetëm nëse institucionet funksionojnë në mënyrë të njëjtë”, tha ai.

Kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, theksoi nevojën për pavarësi të OShP-së për t’i ushtruar detyrat e veta pa ndërhyrje.

“Projekt i cili ofron mbështetje teknike për OShP-në me qëllim të ngritjes së kapacitetit. Bashkëpunimi reciprok dhe mbështetja që OShP do ta pranoj nga qeveria britanike, qëllim primar ka përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetin e punës së OShP-së duke ngritur transparencën, llogaridhënien e OShP-së me publikun”.

“Besojmë se OShP ka hapësirë dhe mundësi për të përmirësuar cilësinë e punës, kërkesë e publikut është që të ketë me shumë përkushtim dhe seriozitet. Ritheksoj nevojën për më shumë pavarësi në punën e OShP-së që t’i ushtroj kompetencat e përgjegjësitë pa ndikim dhe ndërhyrje nga jashtë”, ka thënë Dina, raporton EO.

Të ngjashme