Osmani: 11 ndërmarrje publike kanë borxh 65 milionë euro

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Auditori i përgjithshëm Besnik Osmani, ka treguar se 11 ndërmarrje publike që auditon Zyra Kombëtare e Auditimit, kanë borxh në vlerë prej 65 milionë eurosh.

I ftuar në emisionin “Raport” të KTV-së, Osmani ka thënë se borxhi është afatshkurtër dhe afatmesëm.

Ai ka folur edhe për ndërhyrjet e qeverisë Kurti në këto ndërmarrje, që ka shkarkuar e emëruar drejtorë të bordeve.

“Unë si auditor nuk jam i autorizuar të ndërhyjë në vendimet e qeverisë, por ajo që mund të konfirmojë është se, bazuar në raportet tona, ndërmarrjet publike i kemi në gjendje të keqe, në kuptim financiar dhe të menaxhimit të tyre. Kanë borxhe afatshkurtra e afatmesme në vlerë 65 milionë euro, e që rrezikojnë ofrimin e shërbimeve të qytetarëve dhe stafit. Në këtë pozitë i bëjnë presion edhe buxhetit të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ai thotë se auditimi ka nisur në vitin 2016 me katër ndërmarrje publike, e deri më 2019 ka shkuar në 11. Për këtë vit janë shtuar edhe tri ndërmarrje për auditim.

Ka treguar edhe për dy ndërmarrje ku nuk ka qenë i mundur të bëhet auditimi, meqë Zyra e Auditimit nuk ka pasur në dispozicion dokumentacion të besueshëm.

“Ky është opinion i kundërt”, tha ai.

Osmani tregoi se 11 ndërmarrjeve publike u janë dhënë 143 rekomandime. Sipas tij, 65 janë zbatuar, 25 janë në proces e 51 të tjera nuk janë prekur fare.

“Pikërisht këto 51 rekomandime janë më të vështirat për përmbushje, pasi lidhen kryesisht me menaxhimin financiar, lidhen me vijimësinë në të ardhmen. Niveli i zbatimit të rekomandimeve është i ulët”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme