Osmani, Konjufca, Kurti e Giacobbe bënë homazhe te busti i Bob Dole

Prishtinë | 06 Dhj 2021 | 14:47 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me të ngarkuarin me punë në ambasadën e ShBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe vendosën kurorë lulesh dhe bënë homazhe te busti i senatorit Bob Dole në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë, shkruan EkonomiaOnline.

Presidentja Osmani tha se jemi këtu për t’i thënë lamtumirë njërit prej miqve më të jashtëzakonshëm dhe më të mëdhenjë që i ka pasur Kosova.

“U nda nga ne dje, duke e lënë jo vetëm Amerikën por edhe gjithë Kosovën të pikëlluar”, deklaroi Osmani.

Ajo tha se jemi krenar për miqësinë dhe përkrahjen që ia ka dhënë popullit të Kosovës.

“Senatori Bob Dole ishte me ne jo vetëm në vitet e 90, pra në kohën kur shumëkush nuk e dinte që edhe ne egzistonim në hartë. Ishte me ne edhe në sfidat e kohës së pavarësisë, por edhe pas pavarësisë”, deklaroi Osmani.

Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se kontributi i Dole filloi herët, që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

“Kontributi i tij filloi herët, qysh prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kohë kur shqiptarët ishin në një gjendje shumë të rëndë dhe ajo për çka kishin më shumë nevojë ishte për miq të vërtetë dhe atë mik e gjeti në qëndrimet e palëkundshme të senatorit Bob Dole, i cili e ka shty përpara pavarësinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Kryeministri Kurti për senatorin Dole tha se ishte mik i Kosovës dhe kontribuoi shumë për paqe në Evropë.

“Senatori Bob Dole ka kontribuar shumë për paqe në Evropë edhe si luftëtar i luftës së dytë botërore, si veteran i luftës por edhe si politikan i majave më të larta”, deklaroi Kurti, duke shtuar se përulet pra jetës dhe veprës së tij.

Ata shtuan se kombi shqiptar do të jetë përjetësisht mirënjohës për veprën dhe kontributin e senatorit Bob Dole.

Kujtojmë se ish-senatori amerikan, Bob Dole, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare.

Të ngjashme