Osmani: Kosova është e lirë dhe e pavarur falë miqve të saj

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 10:03 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneral Michele Risi, ambasadorë të shteteve të QUNT-it, diplomatë e deputetët kanë vendosur lule te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të KFOR-it, raporton Ekonomia Online.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka thënë se do të kujtohen të gjitha viktimat e luftës. Sipas saj, Kosova është e lirë dhe ka pavarësinë falë miqve të saj.

“Sot me këtë fjalim u drejtohem miqve tanë ndërkombëtarë për t’i falënderuar për çlirimin e vendit tonë. Sot do t’i kujtojmë të gjitha viktimat”.

“Kosova sot është e lirë ka pavarësinë e saj falë miqve ndërkombëtarë. I kujtojmë sot të gjitha viktimat e luftës, i kujtojmë 1 133 fëmijë të vrarë”.

“Vlerat tona të lirisë dhe tolerancës po përballeshin me barbarizmin. Këtu vetë ekzistenca e civilizimit tonë po mbahej në teh”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, Kosova do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj aleatëve që i erdhën në ndihmë në luftë.

“Vetëm kur i shihni gjërat në dritë të atyre vuajtjeve dhe të asaj situate të pashpresë, mund të filloni ta kuptoni se sa shumë jemi falënderues ndaj jush për ndihmën tuaj. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë ishte një betejë për shpirtin e civilizimit tonë. Duke na ardhur në ndihmë – duke shpëtuar njerëz të pafajshëm të cilët gjendeshin në kthetrat e një regjimi barbar – ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë”, ka thënë kryetarja e Kuvendit, raporton EO.

Komandanti i KFORI-it Michele Risi,  ka falënderuar të gjithë të pranishmit si dhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën në kohën kur kishte nevojë.

Komandanti  falënderoi edhe pjesën tjetër të stafit që i ka mbështetur, ndërkaq theksoi se dhimbja e tij  është për më shumë se 200 ushtarët e kësaj force që humbën jetën për paqen e Kosovës.

“Megjithatë misioni ynë nuk ka mbaruar. Duhet ta mbajmë zgjuar shpirtin dhe entuziazmin. Duhet të  qëndrojmë të bashkuar për një Kosovë më të mirë”, përfundoi fjalimin Risi.

Më pas në oborrin e Kuvendit të Kosovës në ora 11:00 do të mbillen 1 133 lule në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës.

Të ngjashme