Osmani në 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut: S’do të lejojmë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë

Reçak | 15 Jan 2022 | 11:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani, në 23-vjetorin e Masakrës së Reçakut tha se 15 janarit e vitit 1999 bota përfundimisht e kuptoi se mbi popullatën e pafajshme të Kosovës po ndodhte krim e gjenocid, raporton Ekonomia Online.

E para e shtetit në një akademi përkujtimore për nder të kësaj date, shtoi se kjo masakër ishte pasqyrim i shfarimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.

Madje sipas saj, edhe përkundër tentimit që kjo masakër të fshihje, u dëshmua se propaganda nuk mund të ndryshojë faktet historike.

Osmani para të pranishmëve u s shpreh se nuk do të lejohet që të vërtetë ta mbulojë pluhuri i historik, ngase Reçaku mbetet dhimbje e përhershme, vend ku morri formë liria, raporton EO.

“23 vjet më parë bota e kuptoi përfundimisht krimin që ndodhin mbi popullatën e pafajshme. Atë ditë Kodra e Bebushit ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzit, pasqyrimi i shfarimit gjenocidal të Millosheviqit. Përfaqësuesit ndërkombëtar ishin dëshmitarë të kësaj masakre të Mileshoviqit që qëllim kishte shfarosjen”.

“Propaganda nuk mund të ndryshojë fakte historike. Në Reçak ka ndodhur gjenocid dhe synim ishte shfarosja e shqiptarëve. Mohimi i krimit është përsëritje e krimit. Histori nuk mund të ndryshohet, propaganduesit  duhet të kërkojnë falje e të vendoset drejtësi. Nuk kemi asnjë lajm për të zhdukurit, liria jonë pa ta do të mbete e pa përmbushur. Secili varrë ka histori tmerri, kjo masakër shënoi kthesën më të madhe ngase u intensifikuan përpjekjet për liri nga të huaj e nga të rinjtë të gatshëm për liri”.

“Sot Reçaku dhe Kosova janë të lirë falë ndihmës së aleatëve dhe luftës çlirimtare. Ne e kujtojmë të vërtetë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës duke shikuar nga e ardhmja, duke kërkuar që drejtësi të jetë thirrje. Nuk do të lejojmë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë, nuk do të lejojmë që ajo të përsëritet. Reçaku është dhimbja jonë e përhershme. Reçaku është vend prej ku morri formë liria jonë. Të mbijetuarit kërkojnë drejtësi e jo hakmarrje”.

Fillimisht ajo e shoqëruar edhe nga kreu i Kuvendit Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe  në Kompleksin Memorial në këtë fshat.

Fjalimi i presidentes Osmani:

I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca

I nderuar kryeministër, z. Kurti

Të nderuar përfaqësues të qeverisë së Kosovës,

Ish-president,

I nderuar ambasador Hovenier dhe ambasador Szunyog,

I nderuar kryetar Aliu

Të nderuara familje të viktimave të masakrës së Reçakut

Shumë të nderuar të gjithë ju të pranishëm

Njëzetë e tre vjet më parë, jo shumë larg nga vendi ku sot të gjithë bënë nderimet e tyre, bota u lemeritë dhe e kuptoi përfundimisht nga pamjet makabre të masakrës së Reçakut krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.  Civilëve duarthatë, mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Atë ditë, Kodra e Bebushit, siç njihet nga banorët lokal ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i qëllimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit, ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve të cilët ndodheshin në shtëpitë e tyre dhe të cilët u përballën me egërsinë e forcave policore e ushtarake serbe.

Përgjatë dhjetë orëve të sulmit, të vrarë pati edhe në pjesë të tjera të fshatit, prandaj me të drejtë edhe shefi i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, Wiliam Walker, nga ajo që pa në vendngjajre, pa hezitim, siç kishte deklaruar vetë atëbotë, aktin e cilësoi si një masakër të tmerrshme dhe krim të rëndë kundër njerëzimit.

Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar prezent në vendngjarje ishin vula e dëshmisë së këtij akti makabër dhe njëherë dëshmitarët më autentik krahas edhe të mbijetuarve të krimit, pra dëshmitarë të barbarisë së pushtetit të Millosheviqit, i cili kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve, dhe këtë e bënte para syve të të gjithë botës.

Tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut, janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin. Por propaganda asnjëherë nuk mund t`i ndryshojë faktet historike. E sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të të gjithë botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut, e Reçaku është njëra ndër masakrat e shumta të tmerrshme ku u dëshmua ky qëllim.

Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. Por e vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagande nga bashkëpunëtorët e afërt të regjimit të Millosheviqit.

Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet dhe as nuk është subjekt i interpretimit. Ndaj një krimi siç ishte masakra e Reçakut, propaganduesit duhet të ndjejnë keqardhje, e në të njëjtën kohë edhe të kërkojnë falje e të sjellin drejtësi!

Në kompleksin e varreve që vizituam sot, vetëm një varr është ende bosh, si dëshmia më e qartë e krimit të 15 shkurtit të vitit 1999. Saga ende nuk ka marrë fund për familjen Metushi. Fati i nënës së tyre Sahides rri pezull mbi lirinë e tyre, por edhe lirinë tonë. Në kërkim të saj, ata nuk reshtën prej ditës së trishtë, porse asnjë lajm deri më sot. Madje, asnjë lajm edhe për mbi 1600 të zhdukur të tjerë me dhunë nga lufta e fundit, të cilët janë përkushtim i yni i çdoditshëm dhe pa të cilët liria jonë gjithnjë do të mbetet  e papërmbushur.

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar familjarë,

Të nderuar ambasadorë që jeni prezent,

Përfaqësues të institucioneve,

Secili prej këtyre varreve ka një histori tmerri. Secili varr dëshmon gjithçka. Të gjitha këto varre bashkë përbëjnë një dëshmi të argumentuar, të pakontestuar dhe të dokumentuar.

“Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës”, pati deklaruar atëherë presidenti i SHBA-së, Bill Clinton.

Kjo masakër shënoi kthesën më të rëndësishme të periudhës së luftës në Kosovë, ngase diplomacia botërore intensifikoi përpjekjet për ndalimin e barbarisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Në të njëjtën kohë intensifikoi edhe përpjekjet e vajzave e djemve të UÇK-së për lirinë e vendit tonë.

Pamjet nga Reçaku prekën jo vetëm ndërgjegjen e njerëzve të zakonshëm kudo në glob, por edhe atë të diplomacisë botërore.

Afro dy muaj më pas, NATO-ja nisi fushatën e sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake të Serbisë duke e detyruar njëherë e përgjithmonë largimin e saj nga Kosova që nga 24 marsi 1999.

Sot Reçaku dhe Kosova janë të lirë falë angazhimit dhe sakrificës së popullit të Kosovës, si dhe falë ndihmës së aleatëve tanë të përhershëm nga bota demokratike.

Duke i përkujtuar çdo vit viktimat e Masakrës së Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e masakrave anekënd Kosovës ne e kujtojmë e rithemi të vërtetën, e asgjë pos të vërtetës, të cilën duhet ta themi këtu, por edhe kudo tjetër në botë.

Nëse dikur luftuam për lirinë tonë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës, duke shikuar gjithnjë kah e ardhmja.

Do të kthehemi çdoherë në Reçak, do ta themi me zë të lartë se këtu u dëshmua se krimet kundër civilëve shqiptarë janë ato që tregojnë qëllimin shfarosës të regjimit të atëhershëm të Serbisë, dhe duke kërkuar që drejtësia, e jo mohimi i krimeve të jenë kryefjala e veprimeve të secilit.

Të vërtetën për Reçakun do ta bartim tutje, do ta themi me zë të lartë, sepse në çdo cep të globit duhet të dëgjohet ajo. Nuk do të lejojmë asnjëherë që të vërtetën ta mbulojë pluhuri i historisë apo tendencat për ndryshim të historisë, dhe nuk do ta lejojmë që ajo të përsëritet, jo vetëm në Kosovë, por duke qenë edhe vet dëshmitarë dhe viktima të regjimit të gjenocidit, do ta ngrisim zërin kundër gjenocidit, kundër krimeve kundër njerëzimit, e kundër krimeve të luftës gjithandej nëpër botë.

Reçaku është dhimbja jonë e përhershme dhe është nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Ky vend paraqet edhe fillimin e fundit të përpjekjeve të regjimit serb për shfarosjen e shqiptarëve. Reçaku është njëri nga vendet prej ku filloi të marrë formë liria jonë.

Prandaj, sot nga ky vend, përulemi para të gjitha viktimave civile, nderojmë kujtimin për ta, për të gjithë martirët e për të gjithë dëshmorët, bashkëndjejmë me familjet dhe e rithemi zëshëm të vërtetën e vetme, se populli i Kosovës ishte viktimë e një regjimi gjenocidal që është akoma në pritje të drejtësisë!

Sot, së bashku me udhëheqësit e institucioneve vizituam vendin e ngjarjes, Kodrën e Bebushit. Vendin ku ishin masakruar të gjithë këta civilë, dhe nga aty dëgjuam rrëfimet e tmerrit të atyre pak të mbijetuarve. Nga asnjëri prej tyre asnjëherë nuk mund të dëgjoni kërkesë për hakmarrje, vetëm kërkesë për drejtësi. Drejtësia është e vetmja që gjithnjë do të kërkojmë.

Qoftë i paharruar kujtimi për të gjithë të rënët në Reçak!

Lexo më shumë:

Të ngjashme