Osmani në Ditën e Fëmijëve: Çiltërsia e tyre të na shërbejë për ta krijuar vizionin për botën

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e mbarë bota i kthen sytë dhe vëmendjen kah ata që na ofrojnë jo vetëm dashuri të përhershme, por edhe pikëvështrimin më të çiltër për botën.

Sipas saj, kjo ditë shërben edhe si ditë reflektimi e thirrjeje të ndërgjegjes për shkeljet e shumta e të vazhdueshme ndaj lirive dhe të drejtave të tyre.

“Prandaj, në këtë ditë të veçantë për ta, ne duam që vëmendjen tonë ta kthejmë nga mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe i lirive të tyre jo vetëm sot por çdo ditë, si dhe të bëjmë thirrje edhe një herë që vullneti i tyre për ta parë një botë më të mirë të na shërbejë si orientim për sjelljen tonë”.

“Çiltërsia e tyre, kreativiteti me të cilin ata e shohin përçdoditshëm jetën, duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për ta krijuar vizionin tonë për botën”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të saj në Facebook.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e mbarë bota i kthen sytë dhe vëmendjen kah ata që na ofrojnë jo vetëm dashuri të përhershme, por edhe pikëvështrimin më të çiltër për botën. Në anën tjetër, kjo ditë shërben edhe si ditë reflektimi e thirrjeje të ndërgjegjes për shkeljet e shumta e të vazhdueshme ndaj lirive dhe të drejtave të tyre.

Prandaj, në këtë ditë të veçantë për ta, ne duam që vëmendjen tonë ta kthejmë nga mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe i lirive të tyre jo vetëm sot por çdo ditë, si dhe të bëjmë thirrje edhe një herë që vullneti i tyre për ta parë një botë më të mirë të na shërbejë si orientim për sjelljen tonë. Çiltërsia e tyre, kreativiteti me të cilin ata e shohin përçdoditshëm jetën, duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për ta krijuar vizionin tonë për botën.

Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë globale me virusin Covid-19, ne në Kuvendin e Kosovës sivjet këtë ditë po e shënojmë pa praninë e fëmijëve në sallën tonë plenare dhe pa kënaqësinë që ata na e japin kur në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit i shpalosin lirshëm idetë e tyre kreative mbi jetën e shoqërinë dhe kur, pa ngurrim, na i rikujtojnë përgjegjësitë që ne të rriturit i kemi ndaj tyre. Por, kjo nuk na ndalon që të mendojmë sot dhe çdo ditë tjetër për promovimin e të drejtave dhe të lirive të tyre.

https://www.facebook.com/watch/?v=610285572921070

Të ngjashme