Osmani në Japoni lobon për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Në Tokio të Japonisë, po mbahet takimi vjetor i Komitetit të INTOSAI-it për Ngritje të Kapaciteteve, ku po merr pjesë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës Besnik Osmani dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu.

Temë kryesore e takimit është “Eksplorimi i kapaciteteve për të mbështetur profesionalizmin e Institucioneve Supreme të Auditimit”.

Sipas njoftimit, përveç temës kryesore, po diskutohet edhe për katër shtyllat kryesore të profesionalizmit: pavarësia e institucioneve supreme të auditimit dhe ndikimi i tyre në menaxhimin më të mirë të fondeve publike, rëndësia e standardeve për të udhëhequr me profesionalizëm, komponenta e Burimeve Njerëzore si parakusht për një ISA profesionale; si dhe vlera dhe rëndësia e matjes së perfomancës së ISA-ve.

Fokusi kryesor i bisedave gjatë këtyre takimeve ishte integrimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit në organizatat globale dhe rajonale të Institucioneve Supreme të Auditimit për publikun e sektorit.

“Po ashtu, është biseduar edhe për mundësitë e përfitimit nga programet profesionale si dhe mundësitë e shkëmbimit të bilaterale dhe ndërinstitucionale të përvojave”, thuhet në njoftim.

Në takimin vjetor të Komitetit të INTOSA-t për Ngritje të Kapaciteteve po marrin pjesë përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme të botës. Komiteti për Ngritjen e Kapaciteteve është një nga katër organet kryesore të INTOSAI-t, i cili mbështet iniciativat për ndërtimin e aftësive dhe zhvillimin e kapaciteteve të Institucioneve Supreme të Auditimit, përmes trajnimeve, asistencës teknike dhe aktiviteteve tjera zhvillimore.

INTOSAI vepron si një organizatë ombrellë profesionale për Institucionet Supreme të Auditimit dhe ka të anëtarësuar rreth 190 Institucione Supreme të Auditimit.

Të ngjashme