Osmani përkujton 21-vjetorin e vrasjes së 10 civilëve shqiptarë në veri të Mitrovicës

Prishtinë | 03 Shk 2021 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

U.d. e Presidentes Vjosa Osmani ka përkujtuar 21-vjetorin e vrasjes së 10 civilëve shqiptarë në veri të Mitrovicës

Njëzetë e një vjet më parë, më 3 e 4 shkurt struktura paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë vranë në Mitrovicë 10 qytetarë shqiptarë, i plagosën 25, teksa i dëbuan nga shtëpitë e tyre 1564 familje.

Dy dekada më pas, kujtimi për civilët jeton bashkë me brengën për ata që më nuk arritën të kthehen në vatrat e tyre.

Nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme e as stabilitet nëse njerëzit në çdo cep të Kosovës nuk ndihen të lirshëm për të jetuar e për të lëvizur.

Koha është që tërësia territoriale e Kosovës të mos jetë vetëm në letër, por edhe në praktikë. Për një Kosovë në të cilën krimet nuk mbeten statistika në raporte, por trajtohen në organet e drejtësisë!

Që historia e 3-4 shkurtit kurrë më të mos përsëritet, nevojitet vendosmëri dhe guxim shtetëror për ta garantuar sigurinë e secilit qytetar të Kosovës, në çdo cep të saj.

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët shqiptarë të varë me 3-4 shkurt!

Të ngjashme