Osmani: Situata nga vërshimet u rëndua si pasojë e mungesës së investimeve kualitative

Prishtinë | 11 Jan 2021 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë situata nga vërshimet është vështirësuar edhe si pasojë e mungesës së investimeve kualitative.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme, por rëndimi i situatës shkaku i mungesës së seriozitetit sistematik e afatgjatë për investime kualitative kapitale është tërësisht i pafalshëm.

Osmani, ka thënë se FSK-ja është e gatshme për t’i ndihmuar qytetarët, ndërsa këtyre të fundit u ka bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Postimi i plotë i saj:

Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi të jashtëzakonshme për shumë qytetarë në pjesë të ndryshme të vendit. Qytetarët tanë po përballen me  përmbytje, vërshime, vështirësi qarkullimi nëpër rrugë, dëme në shtëpi e prona private, si dhe defekte në rrjetin elektrik.

Fatkeqësitë natyrore vërtet janë të paparashikueshme, por rëndimi i situatës shkaku i mungesës së seriozitetit sistematik e afatgjatë për investime kualitative kapitale është tërësisht i pafalshëm.

Situata e këtyre ditëve është dëshmi e qartë se investimi nëpër rrugë nuk mjafton, ndaj mbi të gjitha duhemi të sigurohemi që ndërtimi i tyre të realizohet konform standardeve më të larta.

Duke e parë seriozitetin e situatës, falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, e cila ndodhet në terren në zonat më të rrezikuara në gatishmëri të plotë për t`i ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë.

Ju lus të gjithëve që të tregojmë kujdes ta shtuar në qarkullim dhe t`i reduktoni lëvizjet në rrugë deri në menaxhimin e plotë të situatës!

Apeloj tek të gjitha institucionet që të jenë në gatishmëri të plotë për t`iu përgjigjur nevojave të qytetarëve në përballje me këtë situatë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme