Osmani uron 27 bursistet “Gratë në Energji” në ShBA: Kosova ka nevojë për ju

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

“Tani nuk bëhet fjalë vetëm tek prodhimi i energjisë, por tek prodhimi i energjisë në mënyrë të mençur dhe të shëndetshme, prandaj ne kemi nevojë për ju”.

Sot është mbajtur ceremonia e diplomimit të 27 vajzave bursiste të programit WE / Women in Energy (Gratë në Energji) që u mundësua nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (Millennium Challenge Corporation-MCC).

Në ceremoninë e diplomimit, që u zhvillua në Universitetin DMACC në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes video-lidhjes, studenteve, familjeve të tyre si dhe publikut të gjerë, iu drejtua Presidentja Vjosa Osmani, njofton Klan Kosova

Osmani ka thënë se Kosova ka nevojë për këto bursiste tashmë të diplomuara pasi sipas saj, ato do t’i sjellin njohuritë dhe përvojat e tyre në shoqërinë kosovare.

“Është një datë e krenarisë dhe e kënaqësisë. Sot e keni përmbyllur kapitullin më të rëndësishëm të jetës suaj. Ju premtoj se kjo përpjekje do t’ia vlejë”.

“Jeni të vetëdijshme se vendi juaj ka nevojë për ju. Jemi të lumtur t’ju kemi këtu. Ju do t’i sillni njohurinë dhe përvojat tuaja në këtë vend”.

“Gratë në Energji është një program të cilit të gjithë i jemi falënderues”.

Omani ka thënë se bota po kalon nëpër një periudhë shumë sfiduese për shkak të pandemisë.

“Pritej janë të mëdha se si të rimëkëmbet ekonomia. Ne ua kemi borxh që të dizajnojmë politika që do të na ndihmojnë në këtë drejtim”.

“Tani nuk bëhet fjalë vetëm tek prodhimi i energjisë, por tek prodhimi i energjisë në mënyrë të mençur dhe të shëndetshme, prandaj ne kemi nevojë për ju”.

“Ne jemi krenarë për arritjet tuaja. Jam e vetëdijshme se hapat e mëtutjeshëm mund të mos jenë të lehtë, por ne do të diskutojmë rreth kësaj çështje pasi të arrini këtu”.

“Ju do ta keni çdoherë mbështetjen time. Kosova është krenare me ju”.

Kujtojmë se Programi i Bursave është pjesë e programit 1.45 milionësh, Gratë në Energji, mundësuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), që synon të avancojë edukimin e grave në fushën e energjisë duke i bërë ato më të kualifikuara dhe të përgatitura për tregun e punës në sektorin e energjisë në Kosovë.

Të ngjashme