OVL e UÇK-së jep ultimatum për pensionet e veteranëve

Prishtinë | 30 Gus 2017 | 15:37 | Nga

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se veteranët mund të presin vetëm deri më 7 shtator për marrjen e pensioneve që ju takojnë.

Ai ka shtuar se nëse pas kësaj date nuk ka asnjë risi, atëherë do të mblidhet kryesia për të vendosur se çfarë do të bëjnë.

“Ne kërkojmë që Ligji të implementohet dhe Qeveria t’i qes pensionet. Afati i fundit është deri më 7 shtator. Do ta mbajmë më pas një mbledhje dhe do të dalim me reagim. Pas datës 7 do të ulemi si kryesi dhe do të diskutojmë e më pas do t’ju njoftojmë me kohë”, është shprehur i pari i veteranëve.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë që të organizohen edhe protesta ndonëse ka thënë se nuk është idhtar i veprimeve në rrugë.

Rishikimi i buxhetit të këtij viti ka qenë e paraparë të bëhet në Kuvend gjatë muajit gusht mirëpo kjo nuk ka ndodhur për shkak se Kuvendi nuk është konstituuar ende pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë ka deklaruar se për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit, si pasojë e mos konstituimit të institucioneve, pagesat e pensioneve për veteranët mund të shtyhen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme