Pacientët me Covid të kënaqur me trajtimin në Infektivë: Vijnë për kontroll çdo 15 minuta

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 08:03 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhomat e Klinikës Infektive në QKUK, janë bërë si shtëpi e dytë për shumë pacientë që po trajtohen nga Coronavirusi. Nga kjo ndërtesë, çdo ditë dalin pacientë të cilët e humbin betejën, por edhe ata që shërohen nga kjo sëmundje.

Ekipi i Ekonomia Online ka qëndruar një ditë brenda Klinikës Infektive ku frymëmarrja e vështirësuar e pacientëve dhe zhurma e pajisjeve që i ndihmojnë ata për të marrë frymë, janë të vetmet gjëra që dëgjohen.

Për t’i parë këta pacientë, për vizitë erdhi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i shoqëruar nga u.d i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Me gjendje pak më të mirë u pa deputeti i LDK-së, Fetah Rudi. Ai për Ekonomia Online tha se gjendja e tij po shkon duke u përmirësuar, teksa apeloi për kujdes të shtuar.

“Ka qenë para disa ditësh kam qenë mirë, por që më pas ka filluar të më keqësohet gjendja, por që tani jam pak më mirë dhe besoj se do ta kaloj. Në bazë të kushteve që janë, shërbimi është i mirë mirëpo duhet kushte pak më shumë, duhet t’iu ndihmohet personelit shëndetësor”, u shpreh Rudi për EO.

Fjalë të mëdha për stafin shëndetësor dha një tjetër pacient në Klinikën Infektive. Vegim Vuçiter tha se cdo 15 minuta vizitohen nga mjekët.

“Kam ardhur para pesë dite dhe me COVID-19 jam diagnostikuar. Një javë e kam pasur, por që e kam neglizhuar dhe më pastaj nga dhimbjet nuk kam mundur ta përballoj dhimbjen dhe kam shkuar në ambulantë për Coronavirus dhe aty më kanë thënë se jam pozitiv”.

“Pastaj kam ardhur në Klinikën Infektive, që mjekët e infermierët më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur me punën që po bëjnë këta. Unë jam shumë i kënaqur me trajtimin që e bëjnë këta dhe besoj se shumë shpejtë do të shërohem. Çdo 15 minuta vijnë dhe më kontrollojnë”, tha ai, teksa apeloi që qytetarët mos ta neglizhojnë këtë virus, duke thënë se virusi është prezent dhe të mundon. 

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se synim mbetët heqja e mbingarkesave të kësaj klinike. Zemaj tha se ka parë disiplinë dhe përkushtim të mjekëve dhe infermierëve në luftën ndaj Coronavirusit.

“Jemi duke ecur në një menaxhim dhe decentralizim të shërbimeve mbi të gjitha t’i heqim mbingarkesat e mëdha që kanë qenë në kuadër të kësaj klinike por të marrin përvojat dhe të shohim trajtimin e ri që është duke u bërë pacientëve edhe në aspektin klinik. Ajo çfarë po shohim këtu është një disiplinë dhe një përkushtim i mjekëve dhe infermierëve”.

Duke folur për gjendjen në këtë Klinikë, Zemaj tha se rënia e numrit të pacientëve me COVID-19 është një motivim shtesë për personelin shëndetësor.

Sipas tij, qytetarët duhet t’i zbatojnë edhe më tej rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Kjo duhet të jetë një motivim shtesë që ne t’i zbatojmë masat dhe rekomandimet e Qeverisë dhe sa më shumë qe ta rrisim kujdesin, ne iu lehtësojmë punën mjekëve dhe e ruajmë jetën. Pra ky është mesazhi më i mirë”.

“Është një punë dinamike dhe së bashku me të gjithë profesionistët shëndetësor po kërkojmë përkushtim më të madh por që do të kërkojmë edhe llogaridhënie, por njëherit edhe këta kanë kërkesa për ministrin dhe për ShSKUK-në, që bashkërisht duhet t’i zgjedhim me Qeverinë e Kosovës”, u shpreh Zemaj.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës, Valbon Krasniqi, tha se profesionistët shëndetësor kanë dëshmuar përvojën e tyre karshi këtij virusi.

Krasniqi shtoi se si ShSKUK janë në fazën e reduktimit të Klinikave dhe reparteve që trajtojnë pacientë me COVID-19.

“Po dëshmohet se tashmë profesionistët shëndetësor kanë përvoja të mira me trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ne si ShSKUK tani jemi në fazën e reduktimit të Klinikave dhe reparteve që trajtojnë këta pacientë në kuptim të asaj që tani po provojmë që pacientët t’i mbajmë vetëm në Klinikën Infektive dhe në Pulmologji, meqenëse kemi një numër më të vogël”.

“E dini se nga 21 korriku reparti i Gjinekologjisë është mbyllur, pra nuk kemi pacientë atje, poashtu gjatë kësaj jave kemi tërhequr edhe pacientë nga Klinika e Neurologjisë për t’iu rikthyer shërbimeve të veta kjo klinike. Pra vërehet një rënie, një trend i lehtë i uljes së numrit të rasteve që po kërkojnë trajtim spitalor, megjithatë vëmendja duhet të jetë e nivelit më të lartë”, tha ai.

Krasniqi e Zemaj kanë thënë se rënia e numrit të të infektuarve nuk duhet të përkthehet në neglizhencë.

Të ngjashme