Pacolli viziton Rahovecin, flet me qytetarë për rritje të prodhimtarisë 

Rahovec | 31 Mar 2017 | 12:19 | Nga

Në kuadër të takimeve me biznese dhe qytetarë të Kosovës, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga bashkëpartiakët e tij ka vizituar Rahovecin ku është takuar me qytetarë, veprimtarë nga fusha e biznesit si dhe ka vizituar shoqatën për kujdes ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hareja”.

Vizitën e tij lideri i AKR-së e ka nisur në fabrikën e pajisjeve për ngrohje dhe ftohje “Osa Termo Sistem”, fabrikë kjo e cila deri tash ka punësuar 60 persona, të cilët janë të angazhuar në sektorin e prodhimtarisë.

Duke u njoftuar në detaje me veprimtarinë e kësaj fabrike, Pacolli ka theksuar se me ardhjen në pushtet të AKR-së, do të fillojë të zbatohet programi ekonomik që krijon mijëra vende pune. Ai ka shtuar se Aleanca Kosova e Re, e ka planin e gatshëm për krijimin e platformave agroekonomike dhe komplekseve industriale. “Ky është momenti i ideatorëve të zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të punësimit”, duke e përsëritur se mandati i AKR-së në qeveri do të fokusohet tek zhvillimi ekonomik i vendit.

Më pas, i pari i AKR-së ka vazhduar vizitën e tij tek shoqata e përkujdesit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hareja”.  Presidenti i AKR-së i përgëzoi kujdestarët e këtyre fëmijëve për punën dhe kontributin e tyre të trajtimin e rasteve të tilla, duke theksuar se institucionet vendore janë të detyruara që të ofrojnë më shumë në aspektin e kujdesit dinjitoz dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës e posaçërisht ndaj rasteve të veçanta si këto.

Numri një i AKR-së më vonë ka mbajtur edhe një fjalim para qindra qytetarëve të Rahovecit të cilët ishin tubuar për ta përcjellë këtë vizitë të Pacollit në qytetin e tyre.

Pacolli e përfundoi vizitën e tij në Rahovec, duke biseduar me qytetarë  për platformën bujqësore të Aleancës Kosova e Re si dhe fuqizimin e fermerëve dhe ndihmën që duhet t’i ofrohet bizneseve për t`ju ndihmuar atyre në rritjen e prodhimtarisë vendore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme