Pak dhurues të plazmës së gjakut në Pejë

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 21:56 | Nga Ekonomia Online

Reparti i Pulmologjisë dhe ai i Infektologjisë në Spitalin e Pejës sërish janë mbushur me pacientë të sëmurë me COVID-19.

Aktualisht janë 78 pacientë të shtrirë në këtë spital, prej të cilëve 19 janë në gjendje të rëndë.

Për ta përballuar betejën me COVID-19 pacientët e sëmurë rëndë në dhjetë ditët e fundit në këtë Spital kanë filluar të trajtohen edhe me plazmë konvaleshente të dhuruar nga personat që e kanë kaluar atë.

“Numri i pacientëve që ka marrë plazmë këtu në repartin tonë është 12-13 pacientë, dhe i kemi dhënë një ose dy doza, varësisht prej gjendjes së pacientit dhe kemi pa që te disa pacientë ka ndikuar për së miri kjo terapi”, ka thënë Fahri Hasani, shef i Repartit të Pulmologjisë në Spitalin e Pejës.

Kurse në Repartin Infektiv janë trajtuar me plazmë edhe katër pacientë të tjerë, por, siç thotë Hasani, ka nevojë për plazmë, për çka ai apelon te qytetarët e shëruar që të dhurojnë gjak në Qendrën për Transfuzion të Gjakut në këtë spital.

E në këtë qendër, këtë muaj vetëm 10 të shëruar kanë dhuruar plazmë për të sëmurët me COVID-19, në mesin e tyre edhe infermieria në Kirurgji, Mire Zymberi-Bajraktari.

“Pasi që kërkohet plazmë për pacientët që janë me COVID, unë e kam kryer COVID-in dhe kesh e interesuar me dhanë gjak edhe me shërua dikën. Jo veç unë, por secili që ka pasë COVID-in është mirë me ardh e me dhënë gjak”, tha infermierja në Repartin e Kirurgjisë, Mire Zymberi-Bajraktari.

Për të shpëtuar jetë, siç tregon Rrezarta Dresha-Berisha, shefe e Qendrës për Transfuzion të Gjakut në Spitalin e Pejës, plazmën konvaleshente mund ta dhurojë secili i shëruar, dy javë pasi e ka përfunduar terapinë kundër COVID-it.

“Për me ardhë me dhurua plazmën konvaleshente, është më rëndësi që të ketë me veti një dokument ose që ka kaluar ose që ka qenë i infektuar me PCR, e ka marrë një vërtetim që e ka tejkaluar COVID-in, që ne me pasë njëfarë pasqyre se ai më të vërtetë ka qenë i sëmurë me COVID-19 dhe tash i plotëson kriteret me dhurua plazmën”, ka deklaruar shefja e Qendrës për Transfuzion të Gjakut në Spitalin e Pejës, Rrezarta Dresha-Berisha.

Prej fillimit të muajit mars është dyfishuar numri i pacientëve të shtrirë në këtë spital, që mbulon Komunën e Pejës, atë të Istogut, Klinës dhe Deçanit, në të cilat gjatë muajit mars kanë vdekur 12 persona dhe janë regjistruar 786 raste të reja me COVID-19, prej të cilave mbi 530 raste vetëm në Pejë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme