Më pak se një e katërta e grave kosovare punojnë, barazia gjinore ka ndikim ekonomik

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 11:23 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Botërore ka organizuar konferencën me temë “Ngritja e dëshmive për rritjen gjithëpërfshirëse dhe krijimin e vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor: Një këndvështrim gjinor”.

Në këtë konferencë u fol lidhur me promovimin e qasjes së grave në mundësitë ekonomike të Ballkanit Perëndimor, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se sfidë kyçe e barazisë gjinore në këtë hapësirë është tek qasja e grave në mundësi ekonomike.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se barazia gjinore ka edhe ndikim ekonomik.  Sipas tij gjetja e një vendi pune në Kosovë është e vështirë, në veçanti për gratë.

Mantovanelli theksoi se më pak se një e katërta e grave në Kosovë janë aktive në tregun e punës dhe sipas tij ky është boshëllëku gjinor në Ballkanin Perëndimor.

“Banka Botërore përpiqet të fusë dëshmi në politika. Tash është koha e duhur për gratë në Kosovë. E dimë që ka ndodhur përparim por boshëllëku nuk ka të bëjë vetëm me barazi por ka edhe ndikim ekonomik. Kemi bërë disa vlerësime vite më parë të cilat jemi duke i përditësuar. Gjetja e një vendi punë nuk është lehtë në Kosovë, është e vështirë në veçanti për gratë. Më pak se një e katërta e grave janë aktive. Ky është boshëllëku më i madh gjinor në Ballkanin Përendimor”.

Mantovanelli porositi se në rritjen e qëndrueshme ekonomike Kosova nuk mund të injorojë barazinë gjinore.

“Porosia është që rritja e qëndrueshme ekonomike në Kosovë nuk mund të injorojë këtë çështje. Duhet të bëhet më shumë për të promovuar rritjen e sektorit privat që e udhëheqin gratë. Në Kosovë kemi promovuar mundësitë e grave të reja në sektorin e teknologiisë informative. Barazia gjinore nuk është objekt në vetvete, është problem ekonomik”.

Stefan Butscher, këshilltar rajonal për ekonomi dhe punësim në zyrën e Bashkëpunimit Zviceran në Kosovë, tha se institucionet publike dhe sektori privat duhet të përkushtohen për të ndryshuar gjendjen sa i përket përfshirjes së grave.

“Në të gjitha institucionet publike edhe sektori privat duhet të përkushtohen për të ndryshuar gjendjen. Do të donim të mbështesim edhe viteve në vazhdim. Do të donim që përfshirja e grave të vazhdonte”.

Ana Maria Munoz Boudet, shkencëtare sociale në Bankën Botërore, tha se vetëm 20 për qind e grave në Kosovë janë aktive në tregun e punës. Sipas saj kjo shifër është më e mirë krahasuar me vendet e rajonit por duhet të përmirësohet.

Ajo përmendi disa të dhëna të vitit 2013 ku tha se humbja ekonomike në Kosovë është 20 për qind e bruto produktit vendor për kokë banori.

“Kemi filluar me projektin para 5 vjetëve. Niveli i ulët i punësimit dhe probleme të tjera janë disa nga të cilat lëngon Ballkani. Kosova dallohet por jo nga aspekti pozitiv. Duhet të bëhen ndryshime. Studimi i jetës në transicon ka dokumentuar një numër të grave që ia kanë dalë mbanë apo që nuk ia kanë dalë të bëhen ndërrmarrëse. Shumica e kujdesit për të vjetërit dhe femijët bëhet në shtëpi, me 90 për qind. Sfida më e madhe është që për këtë nevojiten veprime të politikave. Shumë pak gra në Kosovë janë aktive në tregun e punës, rreth 20 për qind, shifrat janë më mirë se në rajon por duhet të përmirësohen”.

Munoz Boudet tha se pjesëmarrja e grave në pronësi të kompanive është shumë e vogël, sipas të dhënave të vitit 2013 kjo pjesëmarrje është 10 për qind.

“Pjesëmarrja e femrave në pronësi të kompanive është shumë e vogël. Të dhëna prej 2013 pjesëmarrja në kompani është 10 për qind. Punësimi në sektorin publik pritet të jetë më i barabartë sa i përket pagave. Humbja ekonomike në Kosovë është 20 për qind e bruto prodhimit vendor për kokë banori, këto janë të dhëna të vitit 2012. Kemi probleme me qasjen në toka dhe pronësi, llogarie bakare”.

Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i gjetjeve të një programi analitik për aspektet gjinore në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të fundit, si dhe promovimi i një dialogu për përdorimin e këtyre gjetjeve për hartimin e politikave në Kosovë.

Synimi specifik i programit ishte forcimi i bazës së njohurive dhe dëshmive për pabarazitë gjinore në qasjen në mundësitë ekonomike në katër shtete të rajonit.

Studimi mbuloi dimensione të ndryshme, duke përfshirë shkathtësitë, qasjen në inputet produktive, kujdesin për fëmijët dhe ndikimin ekonomik të hendekëve gjinorë.

Të ngjashme