Pakoja e projektligjeve të sistemit Prokurorial diskutohet me përfaqësues të Komisionit të Venecias

Prishtinë | 19 Nën 2021 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me Zëvendësministrin, Blerim Sallahu dhe Zëvendësministren, Nita Shala si dhe përfaqësues tjerë nga Ministria e Drejtësisë, kanë marrë pjesë në takimin me përfaqësues të Komisionit të Venecias, me ç’ rast është diskutuar pakoja e projektligjeve të sistemit prokurorial me theks të veçantë Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në fjalën e saj hyrëse ministrja Haxhiu në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i falënderoi ekspertët për vizitën në Kosovë dhe për vullnetin që kanë treguar për të ndihmuar në një çështje tejet të rëndësishme për Qeverinë por edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe theksoi: “Tashmë ka 8 muaj që ne kemi marrë mandatin dhe dy nga zotimet tona para qytetarëve kanë qenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Pas formimit të Qeverisë, zotimet tona janë bërë pjesë e programit qeverisës dhe në këtë drejtim që nga momenti që kam marrë detyrën i tërë potenciali ynë është përqendruar në zbatimin e programit qeverisës dhe për këtë jemi duke punuar me tërë kapacitetet, edhe si kabinet pra stafi politik por edhe stafi civil e profesional i Ministrisë se Drejtësisë”

Synimi i yni janë reformat e thelle në drejtësi me qellim që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe që të kthehet besimit i qytetarëve ne institucionet e drejtësisë, tha Ministrja Haxhiu.

Tutje ministrja Haxhiu potencoi: “Para 4 viteve në Kosovë ka nisur një analizë të detajuar për identifikimit të problemeve të sistemit të drejtësisë e cila analizë në mandatin tonë qeverisës është kurorëzuar me strategjinë për sundimin e ligjit në të cilën kanë marrë pjesë, përveç Ministrisë së Drejtësisë edhe institucionet tjera të drejtësisë, shoqëria civile, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe ekspertë të shumtë. Pra reformimi i KPK-së vjen si domosdoshmëri e identifikuar në Strategjinë ndër-sektoriale për sundimin e ligjit, me synim rritjen e efikasitetit, transparencës, llogaridhënies në sistem prokurorial dhe në veçanti në KPK, si organ mbikëqyrës e llogaridhënës dhe me synimin për të evituar menaxhimin korporatist në KPK dhe arritjen e balancës në KPK me përfaqësim të barabartë të anëtarëve prokurorë dhe jo prokurorë”.

Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias Antonio Gaspar, James Hamilton dhe Grigory Dikov falënderuan ministren Haxhiu dhe Ministrinë e Drejtësisë për bashkëpunim, si dhe adresuan pyetje rreth synimeve të cilat do të arrihen me anë të kësaj pakoje reformuese, ku stafi i Ministrisë së Drejtësisë ju përgjigj të gjitha çështjeve të ngritura.

Pas këtij sesioni diskutimesh me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të akterëve të tjerë Komisioni do të dërgoj raportin me rekomandime, përmes të cilit do t’u përgjigjet pyetjeve të adresuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme