Palushi: Deklarata e Thaçit lë të kuptohet se ai u intervistua në cilësinë e të dyshuarit

Prishtinë | 13 Kor 2020 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Nëse merret për bazë deklarata e Thaçit, pasi që doli nga selia e Speciales, atëherë ajo lë të kuptohet se ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ka thënë Kushtrim Palushi, jurist.

“Edhe tani, nga deklarimi i Thaçit, nuk e kemi të qartë se në çfarë cilësie është intervistuar Thaçi, por mund të nxjerrim disa konkludime nga përmbajtja e deklaratës së tij”, ka thënë ai në RAPORT të KTV-së.

Palushi i është referuar prononcimit të Thaçit dhe faktit se i pari i Kosovës e përmendi që prokurori e kishte pyetur atë rreth UÇK-së.

“E kjo lë të kuptohet se ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Palushi, teksa ka vazhduar se një gjë e tillë ngrit një pyetje: Pse duhet të intervistohet si i dyshuar tani, kur tashmë është dorëzuar aktakuza.

“E këtu ekziston një teori ose arsye: Gjyqtari i procedurës paraprake e ka kthyer në plotësim aktakuzën, duke kërkuar nga prokurori ta intervistojë Thaçin, para se ta dorëzojë aktakuzën”, ka thënë Palushi.

Palushi po ashtu ka përmendur mohimet e mëhershme të Thaçit, se është intervistuar nga Specialja më herët.

“Nëse gjyqtari i procedurës paraprake e ka kthyer për këtë arsye teknike, si thotë Thaçi, aktakuzën tek prokurori dhe intervistimi i tij përmbyllet me sukses, atëherë nuk ka arsye tjetër që aktakuza të shqyrtohet për çështje teknike. Tani është vetëm hapi i konfirmimit të saj nga gjyqtari i procedurës paraprake”, ka thënë Palushi.

Të ngjashme