Panairi i Filigranit me mjeshtërinë e krijimit të stolive e ornamenteve nga argjendi

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Disa tavolina të vendosura në sallën e mbyllur të kinemasë “Lumëbardhi” kanë qenë të mjaftueshme për ekspozimin e qindra punimeve të krijuara prej telave e kokrrave të argjendit. Stolitë për gratë kanë dominuar, por nuk kanë munguar as ornamentet atraktive.

Këto punime janë realizuar në saje të njohurive shumëvjeçare dhe duarve të shkathëta të grave e burrave që merren me zejen e filigranit. Mjeshtrit e këtij artizanati nga vendi dhe rajoni janë bërë bashkë gjatë fundjavës në Prizren, ku është mbajtur Panairi i Filigranit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Valon Xhabali nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka bërë të ditur se ky panair është realizuar në kuadër të projektit “Filigrani përtej zanatit”, që për synim ka kontributin në ruajtjen e artizanatit të filigranit nëpërmjet dokumentimit, promovimit dhe transferimit të njohurive dhe aftësive tek gratë dhe të rinjtë e përkatësive të ndryshme etnike nga rajoni i Prizrenit.

“Qëllimi i Panairit të Filigranit është informimi i një audience më të gjerë për promovim, vetëdijesim dhe mundësi për zhvillim lokal nëpërmjet ruajtjes dhe promovimit të zejes së filigranit”, ka thënë Xhabali.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se ky panair ka mundësuar promovimin e punimeve të filigranistëve të qytetit të Prizrenit, por edhe të mjeshtërve nga qytetet tjera të rajonit.

“Uroj që ky panair të kontribuojë edhe më tej në mbrojtjen e artit më të njohur të qytetit tonë në botë”, është shprehur Haskuka, duke përkujtuar se në shekullin XIX Prizreni ka pasur rreth 180 zeje dhe se sot shumë pak nga ato kanë mbijetuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme