Pandemia ndikoi në rritjen e numrit të deponive në periferi të vendbanimeve, ndotësit s’po gjobiten

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 08:19 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë ka ndikuar në zvogëlimin e ndotjes se ajrit për 50 për qind, reduktimi i lëvizjeve posaçërisht i makinave ka ndikuar që ajri të jetë shumë më i pastër.

E gjithë kjo situatë duhet të shërbente si një pikënisje që institucionet të mendojnë seriozisht se sa kanë ndikim industria, makinat dhe transporti në ndotjen e ajrit i ka thënë Ekonomia Online, Luan Hasanaj drejtori i organizatës “Let’s Do It Kosova”.

 “Sigurisht që masat të cilat janë ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për parandalimin e pandemisë së Coronavirusit ka ndikuar në masë të madhe në aspektin pozitiv nëse flasim për mjedisin. Pra reduktimi i lëvizjeve posaçërisht i makinave ka ndikuar në masë të madhe që ajri të jetë shumë më i pastër. Të gjitha matjet që janë realizuar nga institucionet përkatëse në këtë rast nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë tregojnë që nëse e krahashojmë situatën me para pandeminë pastërtia e ajrit është për 50% më e pastër”.

“Duke e ditur që kemi pasur kufizim edhe të punës të kompanive të mëdha të cilat janë ndotës ka ndikuar që mjedisi të jetë më i pastër. Kjo do të duhej të shërbente si një pikënisje për institucionet të mendojnë seriozisht se sa kanë ndikim industria mirëpo edhe makinat dhe transporti pas pandemisë duhet të rishikohen edhe njëherë planet për projektet të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, sepse në cilësinë e ajrit ka ndikim faktori njeri dhe numri i madh i automjeteve” shtoi ai.

Hasanaj shtoi se gjatë kësaj kohe është rritur numri i deponive ilegale në periferi të vendbanimeve.

Por sipas tij, problemin mbetet edhe hedhja e mbeturinave në lumenjtë e vendit, raporton EO.

“Ne i kemi parë disa qytetet të cilat i kanë prirë ndotjes, siç janë Prishtina, Peja, Gjilani, Prizreni. Nëse flasim për ndotjen e tokës dhe lumenjve, atëherë të gjitha janë në situatë të njëjtë dhe ndotja është evidente gjithandej Kosovës. Të gjithë lumenjtë e Kosovës janë shumë të ndotur, shumë deponi ilegale të mbeturinave. Ne nuk kemi bërë ndonjë hulumtim për lumenjtë në këtë kohë, mirëpo shihet që janë të ndotur lumenjtë dhe kemi marrë raportime prej qytetarëve të cilët kanë dal afër lumenjve apo edhe për peshkim dhe kanë parë që ka ndotje afër lumenjve. Nuk ka ndikuar pandemia që lumenjtë të jenë më pak të pastër”.

“Ne vazhdojmë ta kemi një problem të madh me një komunitet i cili jeton afër lumenjve, shumica prej tyre nuk kanë shërbim të pastrimit të mbeturinave dhe i hedhin në lumenj.  Gjatë kësaj kohe është rritur numri i deponive ilegale dhe kemi parë më shumë mbeturina në periferi të qytetit”, shtoi ai.

Mes tjerash, Hasanaj tha se pas monitorimit të gjendjes sa i përket ruajtjes së mjedisit, nuk janë marrë gjoba në ndotësit.

“Mjediset tona vazhdojnë të jenë të ndotura sidomos hapësirat publike. Ne jemi mirë me pronat private, dhe ndotjet në hapësirat private janë të gjitha të pastërtia, mirëpo vazhdojmë problem me hapësirën publike. Kjo po ndodh sepse institucionet tona nuk kanë arritur të ndalojnë degradimin dhe ndotjen e hapësirave publike, të cilat mbesin të patrajtuara dhe pa ndonjë kujdes të veçantë”.

“Ne kemi zhvilluar aksione pastrimi nëpër hapësira publike dhe kemi pastruar qindra lokacione, e të cilat janë kthyer në gjendjen e mëparshme sepse institucionet nuk kanë arritur t’i mbrojnë. Një prej faktorëve është edhe moszbatimi i ligjit. Përpos shumë dokumenteve të tjera ligjore i cili e rregullon rendin e ruajtjes së mjedisit përmes atij udhëzimi administrativ parashihen gjoba për ndotësit. Prandaj kemi monitoruar këtë gjendje mirëpo nuk kemi parë gjoba për ndotësit”, shtoi Hasanaj.

Hasanaj ka thënë se është koha që të zbuten masat, dhe të ketë hapje graduale të parqeve. Ai tha se kjo do të ndodh në javën e parë të muajit qershor, raporton EO.

“Masat e ndërmarra nga qeveria Kosovës në kohën e pandemisë e kanë ndaluar frekuentimin e parqeve. Po kalohen dy muaj të një izolimi i cili ka ndodhur për shkak të pandemisë. Kjo do të duhet të ndodh në javën e parë të muajit qershor, mirëpo parqet të kenë një kujdes të shtuar prej Policisë dhe Institucioneve të tjera, sepse ka ardhur koha që të zbuten masat. Kosova ka kaluar më lehtë pandeminë, mirëpo në krahasim me vendet të tjera qëndrojmë më mirë. Duhet të kemi kujdes të shtuar sa i përket distancimit social, mirëpo kjo nuk do të thotë që duhet të qëndrojmë të mbyllur”, shtoi ai.

Të ngjashme