Pandemia rrezikon shuarjen e bizneseve familjare në Rugovë

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Në tarracën e zbrazët të restorantit familjar në Kuqishtë të Rugovës, babë e bir, Ukë e Selim Gjevukaj, kishin shtruar llafet, në pritje të ndonjë mysafiri, që rrallë e shohin këto ditë pandemie.

Ia kishin ngjitur muhabetit të kthyer mbrapa në kohë, në një periudhë të viteve ‘60, ‘70 e ’80, kur Kuqishta kishte qenë kryeqendra e trevës së Rugovës. Shkollë, ambulancë, stacion policor, zyrë të vendit e të pylltarisë, dyqane… e madje si fshati i parë e i vetëm në Rugovë kishte edhe dy restorante.

Një periudhë e kaluar, kur rruga përmes Qafës së Çakorrit e deri në Pejë figuronte në hartat e turistëve të huaj, që atë kohë e shfrytëzonin për t’i rënë më trup rrugës prej Adriatikut për të shkuar në vendet e tjera të rajonit, si dhe për në bregdetin grek. Kjo rrugë nga Çakorri, e cila nga paslufta nuk është më e qarkullueshme, atë kohë shfrytëzohej edhe për qarkullimin e autobusëve nga Kosova për në Mal të Zi. E ato dy restorante ishin pika ndalimi të udhëtarëve kalimtarë vendorë e të huaj, për t’u freskuar me ndonjë birrë apo ujë të ftohtë ose për të ngrënë diçka prej ushqimeve tradicionale, shkruan Koha Ditore.

Ato dy restorante sot nuk kanë as gjurmë, përveç vendit ku dihet se ku kanë qenë.

“Në Kuqishtë ka pasur edhe më herët kulturë turizmi. Atë kohë ka pasur turistë nga krejt bota që kalonin këndej”, flet goxha me mburrje 84-vjeçari Ukë Gjevukaj. Ndërsa, birit të tij, Selimit, 58-vjeçar, më tepër i kujtohej si fëmijë kur kalonin asaj rruge turistë të huaj me automjete, të cilët ndalonin e u jepnin çokollata e bonbone. Ata turistë që dikur kalonin nëpër Kuqishtë, me shumë qejf i kishin parë edhe sot, në këtë periudhë të pandemisë, kur jo vetëm turistë të huaj, por edhe ata vendorë janë të rrallë.

E gjatë muhabetit ata lëshojnë sy kah lokacioni ku ka qenë njëri prej atyre dy restoranteve, që shihej nga tarraca e restorantit të tyre. Ato restorante, sikurse edhe shkolla, ambulanca, stacioni policor, zyra e vendit, pylltaria e dyqanet, nuk ekzistojnë më. Ato shikime andej nuk e lëshonin nga mallëngjimi për atë kohë, sa nga droja se nëse zgjat kjo pandemi, se edhe për restorantin e tyre mund të flitet një ditë se ka ekzistuar një restorant afër urës së “Austrisë” në Kuqishtë, siç e quajnë rugovasit urën në Kuqishtë, e cila, sikurse dhe rruga kryesore prej Pejës në Rugovë është ndërtuar në kohën e ish-mbretërisë së Austro-Hungarisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme