Pandemia shpërfaqi mangësi të shumta nëpër shkolla

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 18:32 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur tryezë diskutimi me temën “Mësimi në kushte shtëpie? Sa jemi gati?”

Sipas panelistëve të këtij debati, i cili u transmetua “live” në faqet e Facebookut të D4D dhe EkonomiaOnline, për të kaluar këtë situatë sa më lehtë, kërkohet një bashkëpunim ndërinstitucional dhe jo fajësimi i njëri-tjetrit.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se pandemia shpërfaqi mangësitë e shumta që ka nëpër shkollat e Kosovës.

këtë herë kanë lënë anash disa kërkesa të sindikatës së tyre, me qëllim që të punojnë në të njëjtin front për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të vendit.

Jasharaj e pranoi se Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës pothuajse çdo fillimvit kërcënon me protesta dhe tregoi pse sivjet vepruan ndryshe.

“Kësaj radhe e pamë të arsyeshme t’i lëmë anash kërkesa tona sindikale, dhe ne ia kemi dhënë besën që do të punojmë në të njëjtin front që t’i mbrojmë fëmijët e Kosovës dhe kolegët tanë”, u shpreh Jasharaj, raporton EO.

“Kemi pasur edhe mungesë të mjeteve teknike për mësimin online, po ashtu edhe te personeli arsimor ka pasur mungesë të laptopëve. Ne kemi mësuar shumë nga kjo përvojë, e cila iu tregoi institucioneve të vendit tonë që ka shumë mangësi në shkolla”, theksoi Jasharaj.

“Mosnisja më 1 shtator ka qenë apel i SBASHK-ut dhe ka qenë apel i qëlluar sepse ka pasur mospërgatitje nga shkollat”.

Kreu i SBAShK-ut tha se janë shprehur kundër matjes së temperaturës nga personeli arsimor sepse “kjo nuk është punë e tyre” dhe merr shumë kohë nga procesi mësimor.

Ai tregoi se 300 kolegë të tyre do të marrin pagë shtesë sepse janë gjendje jo të mirë shëndetësore dhe nuk do të vijojnë procesin mësimor gjatë pandemisë.

“Uroj që Qeveria ta kuptojë rëndësinë e shkollës që të ndajë më shumë mjete që shkollat të jenë të furnizuara me mjete bashkëkohore”, ka shtuar Jasharaj.

Merita Berisha nga Departamenti i Mjekësisë Sociale në IKShPK ka thënë se në këso lloj situatash, si kjo me të cilën po përballet vendi dhe bota, duhet të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional.

Mes tjerash ajo tha se qysh në fillim të përhapjes së virusit, ka pasur njohuri nga qytetarët se si të mbrohen.

“Ne pa pasur asnjë rast në Kosovë ne kemi pasur përgjigjen e plan-veprimit gati. Jemi munduar që sa më shumë të jemi të përgatitur. Edhe në fillim, niveli i njohurive për virusin ka qenë shumë i lartë. Ne e ngrisim zërin vazhdimisht që të kemi një bashkëpunim ndërinstitucional. Nuk jemi në një kohë se cilat institucionet janë duke dhënë më shumë a më pak sepse e kemi një problem të përbashkët dhe duhet t’i bashkojmë forcat”, theksoi Berisha.

Bardha Qirezi, eksperte e edukimit, drejtoreshë ekzekutive e EDUTASK, gjatë debatit ka thënë se mungon komunikimi i shkollave, sepse nuk kanë sisteme digjitale të komunikimit.

Sipas saj, shkollat dhe komunat nuk e kanë pasur të planifikuar se cilat mund të jenë shpenzimet për parandalim të virusit në pajisje me masa mbrojtëse.

“Ideja ka qenë që shkollat të përgatiten për të gjitha skenarët. Edhe udhëzuesi i ka parametrat që janë të obligueshëm të respektohen nga të gjitha aktorët. Shkollat e komunat nuk e kanë pasur të planifikuar se cilat janë shpenzimet për të parandaluar përhapjen e virusit. Këtu jemi së bashku që t’i ndihmojnë institucionet në qoftë se kanë ndonjë pengesë”.

“Ne të gjithë kemi përgjegjësi që të ndihmojnë shkollën dhe këtu kemi parë një mobilizim të mësimdhënësve, të prindërve. Komunikimi është pjesa më e dobët e shkollave sepse nuk kanë sisteme digjitale të komunikimit”, tha ajo.

Megjithatë Qirezi shtoi se mësimi online ka treguar që përkatësia dhe lokacioni nuk pengojnë në mësimnxënie.

Por sipas saj mësimi online për filloret kërkon një organizim shumë të madh nga nxënësit.

“Mësimi online na ka tregu që përkatësia dhe lokacioni nuk është diçka nëse dëshiron të mësosh. Mirëpo në klasat e ulëta nuk është e mundur të jetë mësimi i vetëdrejtuar, sepse mësimi online kërkon një organizim shumë të madh nga ana e studentit”.

Debati i sotëm ishte pjesë e “salloneve të së martës”m që realizohet nga D4D, me mbështetje nga Fondacionit “Friedrich-Ebert”.

Të ngjashme