Pandemia vështirësoi jetën e komuniteteve RAE

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Komunitetet RAE, ku përfshihen romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, janë përballur në vazhdimësi me probleme të natyrave të ndryshme, por pandemia ka përkeqësuar edhe më shummë gjendjen tek ato.

Organizata “Amnesty International” në raportin e saj për Kosovën ka theksuar se këto komunitete janë të diskriminuara, ndërkohë që në një hulumtim të organizatës “Admovere”, i kryer në korrikun e vitit 2020, vë në pah problemet që janë shfaqur tash në pandemi.

Aulona Mehmeti, një nga autoret e këtij hulumtimi, thotë se këto komunitete kanë pësuar nga të gjitha anët, ndër të tjera edhe nga mosinformimi, përkatësisht nuk ishin në dijeni të të drejtave që gëzojnë.

Mehmeti në Express Intervistën në KTV, tha se pandemia ka shpërfaqur shumë probleme te ky komunitet, por edhe te institucionet për t’u marrë me problemet e RAE-s.

“Pandemia ka treguar se ne nuk merremi në mënyrë konsistente për të përmirësuar gjendjen, por më shumë punojnë ad-hoc, për ndonjë pako ushqimore e të tjera. Komunitetet RAE përballen me shumë sfida historikisht dhe preken nga pandemitë më shumë. Tash që janë përballur me COVID është rënduar së tepërmi gjendja e tyre”, ka thënë Mehmeti.

Ajo ka vënë sidomos theksin te procesi mësimor, përkatësisht mësimi në distancë.

Sipas të dhënave që ka prezantuar ajo për dy qytete, Ferizaj e Lipjan, deri në 51 për qind e nxënësve nuk kanë ndjekur mësimet.

“Si me marrë pjesë në proces mësimor kur e kanë problem për të siguruar ushqimin, e lëre më pajisjet teknologjike. Në Ferizaj 51 për qind e nxënësve nga këto komunitete nuk kanë ndjekur mësimet në distancë, në Lipjan 26 për qind, ndërkohë që nga Fushë-Kosova nuk kemi të dhëna, gjë që është edhe kjo keq”, shtoi ajo.

Ka folur edhe për masat që ka marrë qeveria për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në kohë pandemie. Sipas saj, nga 27 masa vetëm një, pika 9, është për këto komunitete.

“Edhe ajo ka dështuar, kjo masë nuk është realizuar”.

Të ngjashme