Paralajmërohen protesta nga punëtorët e KEK-ut, Llumnica: Qeveria të dëgjojë kërkesat tona

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 14:49 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, tha se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre për paga shtesë dhe përfshirje në marrëveshjen kolektive, atëherë nga java e ardhshme do të vendosin për datën e mbajtjes së protestës para Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Pakënaqësitë e kësaj sindikate kanë filluar me vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarje të shtesave për disa kategori, ku nuk u përfshin punëtorët e KEK-ut.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Llumnica tha që menaxhmenti i KEK-ut është dashur që të ngrit zërin kundrejt kërkesave të tyre, njëjtë sikur sektorët e tjerë të prekur nga pandemia. Tutje, ai tha se afati kohor së pari është për menaxhmentin që të rishikojnë kërkesat dhe nëse jo, atëherë  ata do drejtohen për protesta tutje përballë qeverisë.

“Në javën e ardhshme, sepse këtë javë kemi dhënë një kohë të caktuar menaxhmentit për t’i realizuar këto kërkesa, kurse nga java e ardhshme do të vendosim për protestat dhe çfarë do bëhet tutje”, tha ai.

“Kërkesat kryesore është paga shtesë, marrëveshja kolektive, zbatimi i ligjit në plotni që si pasojë e kësaj KEK-u ka mbi 1000 punëtorë që kanë bë padi kundër KEK-ut për arsye të mos respektimit të ligjit. Ne jemi të bindur që do të fitojmë”, theksoi tutje Llumnica.

Mes tjerash, Llumnica tha që kërkesat e tyre i kanë drejtuar disa herë drejt menaxhmentit, për arsye të rrezikut të punës që kanë këta punëtorë , dhe presin që këto kërkesa të realizohen.

“Ne kemi dërguar disa kërkesa drejt menaxhmentit për paga shtesa për punëtorët e KEK-ut, për arsye se janë të rrezikuar maksimalisht dhe luftohet pandemia me anë të dritave të Kosovës me anë të prodhimit dhe angazhimit të atyre punëtorëve, KEK-u ka rritur të thyej rekord të prodhimit edhe në kohë pandemie”, u shpreh ai.

Ai tha që pandemia ka ndikuar shumë tek ta dhe punëtorët e KEK-ut kanë qenë më të rrezikuarit dhe puna e tyre ka qenë shumë e rëndë.

“Po realisht ka ndikuar pandemia shumë si në krejt Kosovën, por më shumë tek punëtorët e KEK-ut, të cilët kanë qenë më të rrezikuar dhe ka qenë punë shumë e rëndë”, deklaroi ai.

Si përfundim ai theksoi që kanë të drejtën edhe të grevës në rast që nuk aprovohen kërkesat e tyre edhe pas protestës, mirëpo ai theksoi se njëherë do të fillojnë me protestë për të vazhduar pastaj me veprime tjera.

“Ne e kemi të drejtën edhe për grevë, asnjëherë si sindikatë e re nuk kemi marrë një vendim të tillë për arsye se e kemi parë të paarsyeshme grevën si fillestare, do fillojmë me protestë dhe nëse nuk realizohen kërkesat tona do shkojmë dhe me grevë sepse jemi kompania e cila nuk kemi marrëveshje kolektive”, përfundoi ai.

Të ngjashme