Paralajmërohet ndalimi i aktiviteteve sportive serbe – Çeku: Pengimi i boksierëve të trajtohet në dialog

Prishtinë | 25 Tet 2021 | 15:11 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se pengesa e boksierëve kosovarë nga Republika e Serbisë, duhet të trajtohet në nivel dialogu, raporton Ekonomia Online.

Çeku tha para medieve se janë në bisedime me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi që kjo çështje të trajtohet në nivel dialogu Kosovë-Serbi.

Tutje, ai theksoi se ky veprim i organizatorit është vendim që është marr nga qeveria e Serbisë.

Çeku, tha se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

“Në emër të Qeverisë e dënojmë rëndë këtë veprim. Ky vendim është i marr me direktivat nga Qeveria e Serbisë. Kemi drejtuar kërkesë zyrtare për ta tërhequr këtë vendim. Ftesën s’e kanë marr nga Serbia por nga Organizata Botërore e Boksit. Përkundër kërkesave tona të shumta, përsëri u është mohuar e drejta për të hyrë në shtetin e Serbisë. Më lejoni t’ju them se kjo është sfidë e përbashkët dhe e ka tejkaluar botën e sportit tani është çështje politike. Kemi kërkuar ndihmë nga BE-ja, por s’kemi për çudi asnjë reagim nga ata. Të gjithë e dimë që në Kosovë funksionin struktura paraleleve të sportit në Kosovë. Për këtë u kemi bërë thirrje që të integrohen në federatat tona. Do të mblidhet nesër Këshilli për parandalimin e federatave paralele serbe”.

Ai ka shtuar se Kosova është anëtare me të drejta të plota në AIBA dhe se askush nuk ka të drejtë ta ndalojë pjesëmarrjen e boksierëve tanë në këto evenimente.

“Personalisht i kam kontaktuar ambasadat e shteteve QUINT-it, por s’kemi marr ende përgjigje. Jemi të vendosur që edhe politikisht ta ndjekim këtë çështje. Frika e Serbisë ka qenë nga talenti i sportistëve tanë. Në raport me BE-në, ne nuk do të donim që sporti të ketë çfarë do lloj lidhje me dialogun. Ne jemi në bisedime me Bislimin që kjo çështje të trajtohet në nivel dialogu”.

Zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, tha se presin reagim nga Bashkimi Evropian dhe që Serbia të penalizohet.

“Ne presim që organizata ndërkombëtare t’iu përgjigjen kërkesave, që të penalizohet në formën e duhur. Në aspektin sportiv do të trajtohen nga organizatat sportive”.

Ndërsa, Sekretari i Federatës së Sportit, Latif Demolli, tha se kanë kërkuar që Serbia të dënohet me mospjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

“Tani i kemi bërë të gjitha kërkesat nga federatat ndërkombëtare. Kemi kërkuar që Serbia të dënohet mos të merr pjesë në garat ndërkombëtare”.

“Në një medalje është e vendosur me Kosovën në hartë. Ndërsa, Serbia e ka bërë një propagandë duke e shfaqur në medalje ku Kosova shfaqet pjesë e Serbisë”.

Të ngjashme