Paralajmërojnë gastronomët: Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë nëse nuk e hapim verën

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka vendosur masa që nga 7 prilli deri më 18 në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit në vend, gjë që u prit me shumë kritika nga ana e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka folur rreth efektit negativ që pandemia Covid-19 i ka sjell bizneseve kosovare, më konkretisht sektorit të gastronomisë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kllokoqi ka thënë se së bashku me kryetarin e Odës së Hotelierëve të Kosovës dhe kryesinë e Shoqatës kanë zgjedhur rrugën e bashkëpunimin me institucionet, me shpresën se edhe 4 ditë do të dalin nga kjo krizë.

Ai shprehet i shqetësuar duke thënë se “Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë në qoftëse nuk e hapim verën”.

Shkrimi i plotë i Kllokoqit:

Që 400 ditë tu e ngritë zanin e gastronomëve për padrejtësi, që një muaj tu punu me e gjetë zgjidhjen për t’ardhmen që do t’na gjejë këtë vit… Asgjë s’ka ndodhë çka pritet të ndodhë në qoftëse nuk e hapim verën!

Plazhet mërgata do t’i bëj në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri, etj. Dasmat në Shëngjin e Kuks. Nejat dhe klubet do t’i orientojmë në Durrës e Dhërmi. Infuzionin tonë kryesor do ta humbim: R E M I T E N C Ë N.

Në mes të protestës, fyerjes, penalizimit, ne po e zgjedhim bashkëpunimin dhe konsultimin.

Si kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ftova për të na u bashkuar në kërkesat tona, kryetarin e Odës së Hotelierëve të Kosovës, Hysen Sogojeven, dhe kryesinë e Shoqatës. Të bashkuar për me çu përpara dhe mbrojt interesat e përbashkëta.

Krejt bashkë drejtuar Qeverisë, që së bashku të dalim nga kjo krizë që padrejtësisht më së shumti na dëmtoi dhe vazhdon të na dëmtojë ne.

Urojmë që këto 4 ditë do të gjejmë një rrugë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës për të dalë nga kriza, në të kundërtën virusin e “parandaloni”, veç në fundvit mos vajtoni për zbrazjen e vendit nga rinia, sikur ikja e dikurshme nga stacionët e autobusëve!.

Kujtojmë, që nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas këtij vendimi, po ashtu do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme