Parlamenti Studentor kundërshton vendosjen e refugjatëve në konvikte

Prishtinë | 21 Gus 2021 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Kosova është zotuar se do të pranojë një numër të refugjatëve afganë pasi situatës së javëve të fundit në Afganistan, ndërkaq si mundësi për vendosjen e tyre është përmendur edhe Qendra Studentore në Prishtinë.

Por, Parlamenti Studentor sot përmes një njoftimi për media ka kundërshtuar vendosjen e refugjatëve në konvikte.

Lexoni të plotë deklaratën e tyre:

Nga ana e medieve kemi marr informacione që Qendra e Studentëve pritet të shndërrohet në kamp të refugjatëve afganë, të cilët janë duke ardhur në Kosovë. Nuk e kemi pranuar as edhe një informacion nga institucionet përkatëse për këtë gjë dhe kjo nuk është hera e parë që organi më i lartë i studentëve po anashkalohet.

Ne jemi absolutisht për pranimin e refugjatëve afganë në Republikën e Kosovës, pasi që ashtu siç e kemi traditën e kulturën, asnjëherë nuk i kthejmë mbrapa njerëzit në nevojë. Madje, vet historia na rikujton që edhe ne ishim në lëkurën e tyre gjatë Luftës së Kosovës.

Por, të merren vendime në prag të fillimi të vitit të ri akademik, tani kur kanë mbetur gati 30 ditë para fillimit të rregullt të vitit akademik, që studentët të përjashtohen nga mundësia e qëndrimit në konvikte, kjo është e papranueshme. Mbi 4.000 studentë vendosën në ato konvikte, e në qoftë se vendosen me masa të 1 studenti për 1 dhomë, atëherë rreth 1.400 studentë do të mbeten pa qëndrim në Prishtinë.

Qendra e Studentëve është themeluar për nevojat ekskluzive të banimit/ushqimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, prandaj mos na mohoni të drejtën për të shfrytëzuar diçka që na takon neve, mos i lëni në rrugë mijëra studentë.

Parlamenti Studentor kundërshton kategorikisht vendosjen e refugjatëve në konviktet e studentëve, ka vende të mjaftueshme ku ata mund të vendosen dhe të krijohen kampe. Ne i bëjmë thirrje MASHTI-t që të anulojë këtë iniciativë, përndryshe do të ketë reagime legjitime studentore, për të mbrojtur studentët tanë. /

Të ngjashme