Parregullsitë në Ministrinë e Mbrojtjes, nga furnizimi me ushqim i FSK-së, e deri te punësimet pa procedura të rekrutimit

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një varg parregullsishë në Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat i ka paraqitur në raportin e pasqyrave financiare të kësaj ministrie për vitin 2019. Asokohe në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ishte Rrustem Berisha. Parregullsitë kryesisht kanë të bëjnë me tenderin për furnizimin me ushqim dhe pije për FSK-në, moskontrollin e vijueshmërisë në punë të personelit, punësimin e zyrtarëve pa procedura të rekrutimit, mosprotokollimin e faturave të pranuara, e deri te skadimi i kontratës për shkollimin e kadetëve, shkruan AktivPress

Në raportin e ZKA-së, thuhet se për shkak të procedurave të tejzgjatura të shqyrtimit të ankesave të operatorëve nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Ministria e Mbrojtjes që nga korriku i vitit 2018, është detyruar të zhvilloj prokurime emergjente pa publikim të kontratës dhe të vazhdojë pranimin e furnizimeve nga kompania ‘Beni Dona’, e cila kishte patur një kontratë prokurimi të mëhershme për “Furnizim me ushqim dhe pije për kazermat e FSK-së”.

ZKA ka zbuluar se në korrik të vitit 2018, Ministria kishte përfunduar procedurat e prokurimit lidhur me kontratën e re për furnizimet e FSK-së, duke bërë njoftimin për dhënie të kontratës për kompanitë NTP ‘Global Parajsa  dhe Ciano Trading & Service’, me çmim prej 7,211,000euro, që ishtë një çmim më i lirë për 1,206,800 euro se sa i kompanisë “Beni Dona Plast” dhe NPT “Florenti & SoriAl shpk &KPL shpk & Ushqimi”, që ishte në vlerë prej 8,417,800 euro.

Lidhur me ketë proces, ZKA ka vërejtur se në korrik të vitit 2018, “Beni Dona dhe Florenti N.P.T”, të cilët ishin shpallur të papërgjegjshëm, kanë parashtruar ankesë në OSHP, dhe si rrjedhojë e kësaj ankese, procesi është kthyer në rivlerësim.

Por edhe në proces të rivlerësimit, Ministria e Mbrojtjes, duke u bazuar në kriterin e çmimit më të ulët sërish ka rekomanduar dhënien e kontratës grupit të OE “N.T.P Global Parajsa dhe Ciano Trading & Services”.

“Si rezultat i kësaj, OE “Beni Dona dhe Florenti N.P.T parashtrojnë përsëri ankesë në OSHP, dhe që nga atëherë, ky proces i prokurimit nuk ka përfunduar, dhe lënda ende gjendet në procedura të shqyrtimit në OSHP”, thuhet në raportin e ZKA-së. Për shkak të zvarritjes së këtyre procedurave, sipas ZKA-së, nuk është e sigurt nëse ministria po i paguan çmimet reale të këtyre furnizimeve.

Mungesa në punë deri në 46 ditë

Zyra Kombëtare e Audtimit ka gjetur parragullësi edhe në (mos)kontrollin e ardhje-vajtjeve të personelit në punë.

“Ne kemi identifikuar tre raste, të cilët gjatë vitit 2019 kanë pasur mos vijueshmëri në punë deri në 30 ditë, derisa në një rast deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare. Në këtë gjendje është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhimit të ardhje/vajtjes së punonjësve në punë”, thuhet në raport.

Mungesa e dëshmive të cilat konfirmojnë se zyrtarët të cilët paguhen nga ministria, janë duke punuar dhe se kompensohen vetëm për punën e bërë, sipas ZKA-së, rritë rrezikun e kryerjes së pagesave për zyrtarë të cilët fare nuk kanë punuar. Kjo është në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe ndikon në dëmtim të buxhetit, shkruan AktivPress.

Angazhimi i 56 zyrtarëve pa procedura të rekrutimit

E gjetura tjetër e ZKA-së ka të bëj me angazhimin e punëtorëve me afat të caktuar kohor.

Sipas Ligjit për Shërbyes Civil  dhe Ligjit të Punës, organizata buxhetore mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar në bazë të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, për më pak se gjashtë muaj.

Por, ZKA ka identifikuar që për punonjësit për shërbime të veçanta, nuk janë zhvilluar procedura të rekrutimit me rastin e angazhimit të këtyre zyrtarëve.

“Për kryerjen e punëve me afat të caktuar, ministria kishte angazhuar 56 zyrtarë me Marrëveshje për shërbime të veçanta. Fillimisht ishin angazhuar me nga gjashtë muaj, duke ua përsëritur kontratat pandërprerë. Në asnjë rast, ministria nuk ka zbatuar procedurën e thjeshtësuar të rekrutimit. Për të punësuarit e vitit aktual, nuk ka dëshmi për të konfirmuar se njësitë kërkuese kanë parashtruar kërkesë për nevojën e angazhimit të këtyre zyrtarëve. Angazhimi i tyre nuk ka të bëjë me ekspert të lëmisë së caktuar, por ushtrim i pozitave të rregullta. Kjo ka rezultuar si shkak i hapjes së pozitave të reja me ristrukturimin e ministrisë dhe shfrytëzimit të mungesës së aprovimit të pozitave nga Ministria e Administratës Publike”, thuhet në raport.

ZKA ka evidentuar se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk janë protokolluar faturat e pranuara.

“Ne kemi vërejtur që asnjë nga faturat në pagesat e testuara, nuk ishte e protokolluar e as evidentuar në librin e faturave, duke mos i zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm, sipas rregullave financiare për shpenzimin e parasë publike. Të gjitha faturat pranohen nga një zyrtar dhe mbajnë datën e pranimit, por jo edhe numër të protokollit, nga e cila datë fillon kalkulimi i afatit ligjor për pagesë”, thuhet në raport.

Skadimi i kontratës për shkollimin e kadetëve

Një gjetje tjetër e ZKA-së në Ministrinë e Mbrojtjes ka të bëjë me skadimin e kontratës për shkollimin e kadetëve, shkruan AktivPress.

Ministria e Mbrojtjes kishte një kontratë kornizë trevjeçare me Universitetin Amerikan të Kosovës për “Shkollimin e kadetëve të QSU-se për nevojat e FSK-së” të nënshkruar më 26.09.2016. Kjo kontratë ishte realizuar në tërësi sipas kushteve paraprake të marrëveshjes.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, “Asnjë kontratë publike kornizë nuk do të ketë kohëzgjatje më shumë se 36 muaj. Kontrata publike kornizë nuk mund të zgjatet apo ripërtërihet dhe kushtet e saj nuk mund të ndryshohen”.

Ndërsa, sipas nenit 26 të Rregullës Financiare 01/2013, asnjë detyrim për pagesë nuk zbatohet nëse për të njëjtin nuk ekziston një dokument, marrëveshje apo aranzhim në bazë të cilit rezulton lindja e atij detyrimi.

Por, Ministria e Mbrojtjes edhe pas skadimit të kontratës, nga muaji korrik deri në shtator 2019, kishte vazhduar me porosinë e shërbimeve të njëjta ndaj operatorit, siç ishin: testimi i kandidatëve për njohuritë e gjuhës angleze – niveli TOEFL; regjistrimi i kadetëve në programet arsimore, dhe furnizimi i tyre me tekste shkollore. Këto shërbime nga ana e operatorit ishin kryer në mirëbesim pa ndonjë kontratë valide, në mënyrë që të mos ndërpritej shkollimi i kadetëve, raporton AktivPress.

Ministria me të njëjtin operator kishte negociuar kontratë të re, e cila ishte nënshkruar më 20.12.2019, po ashtu për një periudhë trevjeçare, me vlerë prej 932,142€. Shërbimet e porositura dhe të kryera gjatë periudhës korrik-shtator, ishin faturuar dhe paguar në shumën prej 165,754€, sipas çmimeve referente të kontratës së dytë, pasi ishte lidhur kontrata.

Kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria e Mbrojtjes nuk kishte ndërmarrë asnjë procedurë për të vazhduar kontratën, edhe pse menaxheri i kontratës përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar departamentin e prokurimit se kontrata skadon në muajin shtator 2019.

ZKA ka vërejtur se buxheti final i Ministrisë së Mbrojtjes në raport me buxhetin fillestar ishte zvogëluar për 6,827,690euro. Ky zvogëlim kishte ardhur si rezultat i shkurtimeve buxhetore me vendime të Qeverisë të datës 17.12.2019 për shkak të mosrealizimit të buxhetit fillestar për vitin 2019.

Në anën tjetër, ministria kishte të buxhetuar edhe një donacion nga Qeveria Gjermane në vlerë prej 500,000€, prej të cilave 290,000€ në kategorinë mallra dhe shërbime dhe 210,000€ në kategorinë e investimeve kapitale, por të cilin nuk kishte arritur që t’i shpenzojë.

Të ngjashme