Pas aksionit të Prokurorisë në zyrën e Gjilanit, reagon ATK-ja

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë se ka intervistuar dy zyrtarë të këtij insitucioni, përfshirë edhe drejtorin e këtij insitucioni në Gjilan.

Sipas ATK-së për një gjë të tillë nuk kanë pranuar informacione zyrtare nga institucionet e ligjit, teksa shtojnë se drejtiori i ATK-së në Gjilan, Alban Qerimi aktualisht është në vendin e punës.

“Bazuar në informacionet e publikuara në media, Administrata Tatimore e Kosovës njofton opinionin publik se Drejtori Regjional i ATK-së në Gjilan z.Alban Qerimi është në vendin e tij të punës, sipas përgjegjësive që ka. Si institucion ende nuk kemi pranuar asnjë informacion zyrtare nga institucionet e zbatimit të ligjit, në momentin që do të jemi të njoftuar zyrtarisht do të ju informojmë në kohë. ATK siguron opinionin publik se pas njoftimit zyrtar nga organet përkatëse, do të ndërmarr të gjitha veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e ATK-së.

Ndërsa policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të dyshuarit janë arrestuar të mërkurën, ndërkaq lidhur me këtë rast janë kryer hetime në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Njësitet policore të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit-Prishtinë pas disa veprimeve hetimore në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan, me 17.03.2021 kanë arrestuar njërin nga dy të dyshuarit meshkuj kosovar-zyrtar të ATK-së, nën dyshimin se kanë kryer veprën e cekur me lart”, bën të ditur policia.

Gjatë bastisjes në shtëpinë dhe vendin e punës së të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, telefona e dokumente zyrtare.

Njëri nga të dyshuarit është liruar, ndërkaq tjetri pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpitë dhe zyrat e punës së tyre, janë sekuestruar para të gatshme, dy telefona, një shtëpizë kompjuteri, dy llap-top dhe disa dokumente zyrtare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari i arrestuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, ka bërë të ditur policia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme