Pas ndalesës nga autoritet serbe flet Eliza Hoxha: Më ndaluan tre fotografi, njëra me pamfletin UÇK

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 12:28 | Nga

Disa çaste pasi iu ndaluan fotografitë për të hyrë në Serbi, artisja Eliza Hoxha ka treguar për Televizionin Publik se i janë ndaluar pos fotografisë me mbishkrimin UÇK dhe një tjetër që paraqet “lojën” mes flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë.

“M’u ndaluan tri fotografi, njëra me pamfletin e UÇK-së, fotoja e dytë është nga protestat ku shihet afishja me vagun e poetit Ali Podrimja: Kosova, gjaku ynë që nuk falet…”, ka thënë Hoxha.

Hoxha po ashtu ka treguar se fotografia e tretë që iu ndalua të merr pjesë në ekspozitën në kuadër të festivalit “Mirëdita-Doberdan”, është konceptuale dhe paraqet “lojën” mes flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte edhe inspirim për titullin e ekspozitës së Hoxhës në Beograd me titull: “Midis ëndrrës dhe realitetit”. Punimi, sipas Hoxhës është realizuar në një vjetorin e pavarësisë, mbi debatin për flamurin dhe himinin.

Ndryshe, artistët kosovarë sapo janë lejuar të kalojnë kufirin dhe tashmë me përcjellje të policisë po vazhdojnë rrugëtimin në drejtim të Beogradit.

Ndryshe, festivali “Mirëdita, dobar dan!” 2018 organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Iniciativat Qytetare (Serbi) dhe Ministrinë e Kulturës së RKS.

Të ngjashme