Pas shtatë vjetëve komuna vendos ta stolisë qytetin për festat e fundvitit

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Më në fund, qeverisja aktuale e Komunës së Pejës ka planifikuar të dekorojë sivjet qytetin për festat e fundvitit. Kjo është hera e dytë që nga viti 2013 që komuna ndanë mjete për t’i dhënë hijeshi së paku sheshit të qytetit për këto festa. Për këtë projekt komuna ka planifikuar të shpenzojë 30 mijë euro, sa është vlera e parashikuar e kontratës në tenderin e shpallur para tri ditë.

Sipas menaxherit të Zyrës komunale të Prokurimit, Xhemë Berisha, kjo shumë është planifikuar vetëm për festat e këtij fundviti. Projekti është dërguar për tenderim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. Drejtoresha e kësaj drejtorie, Xhevahire Çeku-Kelmendi, tregoi se me këtë projekt planifikohet stolisja e pjesës qendrore të sheshit të qytetit dhe rrugës së korzos deri të “ura e zallit”. Mirëpo, ky projekt ka nis procedurat e tenderimit këtë javë dhe sipas drejtoreshës tenderi është shpallur pak vonë dhe në rast se tenderi do të ketë zvarritje në procedurat e tij deri në kontraktim të operatorit, nuk përjashtohet edhe mundësia që sheshi të mbetet edhe sivjet pa stolis.

“Edhe kjo mund të ndodh, sepse pak jemi vonuar me shpalljen e tenderit edhe pse nuk ka qenë faji i drejtorisë tonë. U ngritën disa debate se a duhet apo jo të stoliset sheshi në këtë kohë të pandemisë. Ato debate vazhdimisht janë ngritur jashtë drejtorisë tonë nga njerëz jo kompetentë. Dhe padrejtësisht na e kanë pronlonguar këtë projekt dhe na e kanë shtyrë nisjen e procesit të tenderimit”, tha ajo.

Vitet e kaluara qytetin e Pejës e ka gjetur ndërrimi i motmoteve të pa stolisur me paret e takasapageusve, pavarësisht kërkesave të qytetarëve. Që nga viti 2013, kur e ka marr në duar drejtimin e kësaj komune koalicioni LDK-PDK, për dy mandate rresht, vetëm në vitin 2015 ishin shpenzuar 10 mijë euro nga arka e komunës për stolisje të sheshit për festat e fundvitit, por edhe stolisja atë vit ka qenë e shëmtuar nga firma kontraktuese. Deri në vitin 2013 Komuna e Pejës e ka pasur rregullisht një kod në të cilin kanë qenë 10 mijë euro të dedikuara për stolisje të qytetit për festat e fundvit. Edhe për vitin 2014 ky buxhet ishte planifikuar, por mjetet nga ky kod ishin marr për të paguar borxhe të komunës për kontestet e saj të humbura gjyqësore. Kurse për vitet tjera në vijim, 2016, 2017, 2018 dhe 2019 nuk ka pas fare buxhet të ndarë për dekorim të qytetit, derisa sheshi ishte stolisur “sa për sy e faqe”, nga disa biznese të Pejës, të cilat më tepër kishin bërë reklama për veten me bredha dhe disa drita të varura mbi shesh. Mungesa e dekorimeve nga komuna vitet e kaluara, kishte nxitur reagime të vazhdueshme të shoqërisë civile dhe subjekteve opozitare në Pejë. Por këto reagime nuk mungojnë as tash, pavarësisht se komuna ka vendos të shpenzojë 30 mijë euro por stolisjen e qytetit. “Po mendoj se mirë është me i dhënë sheshit gjallëri në këtë kohë të zymtë edhe pse vërtetë është një ironi e madhe kur kjo ndodh në kohë pandemie dhe jo për shtatë vitet e kaluara”, thotë Veton Mujaj, drejtor i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë. Më të ashpër në reagimin e tyre janë përfaqësuesit e subjekteve opozitare në Pejë.

“Pse asnjëherë deri me tani ky pushtet nuk e ka stolisur qytetin, por vetëm e ka baltosur. Ku qëndron qëllimi që pas 7 viteve po dëshirojnë me stolisë qendrën e qytetit me 30 mijë euro. A është ky vazhdimësi e budallakive, mjerimit apo përshëndetje dhe ndriçimi i ikjes nga pushteti i errësirës, krimit, nepotizmit dhe keqpërdorimit të parasë publike. Unë për vete jam pro ndriçimit dhe zbukurimit të qytetit edhe në pandemi, që së paku qytetarëve të i kthehet ndriçimi i mohuar që 7 vite. Por jo vetëm për festa të fund vitit, dekorimi duhet të ekët edhe për ditën e çlirimit, të pavarësisë së Kosovës dhe të asaj kombëtare, për ditën e ushtrisë…”, thotë kryetari i Alternativës në Pejë, Reshat Nurboja. Ndërsa për shkak të pasojave që u ka sjellë pandemia edhe banorëve të kësaj komune, përfshirë përkeqësimin e gjendjes social e ekonomike, si dhe kufizimin e lëvizjes, anëtari i kryesisë së LVV në Pejë, Bashkim Nurboja, e quan absurd dhe idiotizëm të pushtetit komunal, stolisjen e qytetit tash në kohë, e nuk e ka bërë për vite të tëra para pandemisë. “Vendimi i Komunës së Pejës për dekorimin e qytet në vlerë prej 30 mijë euro, është absurd për kohën kur po ndodh. Komuna që shumë vite kur e kanë kërkuar qytetarët, nuk e ka dekoruar qytetin, ndërsa tash në kohën e pandemisë, kur qytetarët nuk lejohen të dali, e as të mblidhen, është idiotizëm. Kryetari duhet të kuptojë që një pjesë e qytetarëve janë hy në varfëri, shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës. Andaj, më mirë është të mendohet se si t’iu ndihmohet këtyre qytetarëve”, thotë Nurboja. Mirëpo, drejtori i Financave, Jeton Abazaj, i konsideron të pa vend dhe të paarsyeshme kritikat dhe reagimet tash të opozitës apo të kujdo qoftë tjetër, për shkak se siç thotë ai, këto mjete kanë qenë vjet të planifikuara për buxhetin e këtij viti.

“Këto mjete kanë qenë të planifikuar vjet kur ne nuk kemi mund të dimë se do të ketë pandemi. Ky investim është nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Edhe me dashtë me i kthye në subvencione këto mjete nuk mundesh sepse është kategori krejt tjetër. Por edhe qytetarëve komuna ju ka dal në ndihmë gjatë pandemisë me mundësitë financiare që i ka. Deri tash komuna ka shpenzuar mbi 200 mijë euro për ndihma e subvencione që ua ka dhënë qytetarëve dhe familjeve ne nevoje, me ushqim, për mjekim, dru për dimër dhe ndihma tjera”, thotë Abazaj. Ai i kupton kritikat ndaj komunës pse edhe vitet e kaluara komuna nuk e ka dekoruar qytetin për festat e fundvit, pasi sipas tij qytetarët e kanë merituar të stoliste qyteti jo vetëm sivjet por edhe vitet e kaluara. “Komuna që shtatë vjet vetëm një herë ka shpenzuar mjete për stolisjen e qytetit. Herën e fundit në vitin 2015 kur janë paguar pare prej buxhetit të komunës për stolisjen e qytetit në shumë prej mbi 9 mijë euro dhe ka qenë një stolisje e keqe dhe nuk kemi qene të kënaqur me atë stolisje. Komuna ka pas mundësi edhe vitet e kaluara me stolisë qytetin, por duke u bazuar në stolisjen e keqe që ishte në vitin 2015 dhe vitet tjera paraprake me nga 10 mijë euro që kanë qenë shpenzime koti për stolisjet e këqija, ka qenë ideja që mos të shpenzojmë kot pare e të mos stoliset qyteti si duhet. Kurse për sivjet i kemi nda 30 mijë euro, e vjet nuk kemi mund me stolisë sepse sheshi ka qenë punishte duke u rindërtuar”, arsyetohet Abazaj pse komuna në këto shtatë vitet e fundit vetëm një herë ka stolisur qytetin nga arka e saj./Koha

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme