Pas vetëvrasje së të burgosurit në Prizren, reagon KMDLNJ

Prishtinë | 07 Dhj 2021 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas rastit të së hënës, kur një i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka bërë vetëvrasje.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se sipas informatave më 06.12.2021, rreth orës 14:30, në banjën e dhomës së tij në Qendrën e Paraburgimit (QP) në Prizren është vetëvarur i paraburgosuri, F. I.

“Mjekët e NjShB kanë filluar reanimimin e menjëhershëm dhe në ndihmë kanë ardhur edhe Ekipi i Emergjencës së Prizrenit, por reanimimi ka rezultuar pa sukses, me çka është konstatuar vdekja e pacientit rreth orës 14:47. F.I. ishte i lindur në vitin 1987. Në QP në Prizren ka ardhur me datë 11.09.2021. Në pranim është vërejtur se i paraburgosurit ka pasur probleme psikiatrike dhe ngecje në zhvillim mendor”, thuhet në reagim.

Për këtë arsye, gjatë tërë kësaj kohe i paraburgosuri është trajtuar nga stafi mjekësor i QP, mjeku, psikologu dhe psikiatri si dhe nga specialistët e Spitalit të Prizrenit.

Me këtë rast  KMDLNj ripërsërit kërkesën që të burgosurit me probleme të natyrës psikike nuk duhet të mbahen në institucione korrektuese apo të paraburgimit.

“KMDLNj rithekson se për këtë kategori duhet të ketë trajtimin e duhur dhe të garantuar me të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për personat e privuar nga liria, me LESP dhe me Rregullat Evropiane të Burgjeve. Mbajtja e personave me probleme të natyrës psikike në institucione korrektuese dhe të paraburgimit paraqet shkelje të të drejtave të njeriut pasi që këto institucione nuk i përmbushin kriteret e duhura për mbajtjen dhe trajtimin e kësaj kategorie”.

“KMDLNj bënë thirrje institucioneve që këtë kategori të personave të privuar duhet t’i vendosin në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Në anën tjetër Instituti i Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë ka vetëm 7 vende për vendosje të personave të privuar nga liria për tërë Shërbimin Korrektues të Kosovës e që është në shpërputhje të madhe me nevojat e SHKK-së”.

“Pas çdo vizite monitoruese, KMDLNj del me të gjeturat dhe rekomandimet për institucionin që e monitoron dhe rekomandimi kryesor është që të privuarit nga liria që kanë probleme të natyrës mendore të dërgohen në institucionet përkatëse shëndetësore e që për shkaqe të sipërpërmendura nuk ka mundësi të realizohet prandaj edhe kemi vdekje dhe vetëvrasje të personave të privuar nga liria. Në çastin e privimit nga liria , shteti përmes institucioneve përkatëse merr përgjegjësinë për shëndetin dhe jetën e të burgosurit apo të dënuarit. Në rastin e vetëvarjes së të paraburgosurit F.I. të gjithë po merren me pasojat ndërsa ka dështuar mekanizmi parandalues , dërgimi në institucionin shëndetësor që do të kujdesej për shëndetin e të paraburgosurit. Të gjithë ata që e njohin arkitekturën e brendshme të Qendrës së Paraburgimit në Prizren ku banjat janë ndara nga pjesa tjetër e dhomës  e kanë të qartë se oficerët nuk mund të mbahen përgjegjës prandaj KMDLNj -ë vlerëson se ky suspendim nuk ka bazë ligjore aq më parë që kanë dështuar mekanizmat parandalues. KMDLNj -ë i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit F.I. dhe kërkon që rastet e ngjashme të trajtohen me prioritet”.

KMDLNj e thekson një fakt se nga SHKK shfrytëzohen vetëm 50% të kapaciteteve pranuese dhe të vendosjes dhe se SHKK ka hapësirë të mjaftueshme që pjesën e pashfrytëzuar ta shndërrojë në një spital për të gjithë të burgosurit në Kosovë sikur edhe për stafin korrektues. Bartja e personave të privuar nga liria përveç shpenzimeve të mëdha materiale paraqet problem edhe më të madh në aspektin e sigurisë, thuhet në reagimin e KMDLNJ.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme