Pasgoditjet e tërmetit s’duhet të injorohen, mund të jenë fatale

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 00:13 | Nga Ekonomia Online

Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovë, ka thënë se nuk mund të ndodhë ndonjë tërmet tjetër i madh, megjithatë ai ka theksuar se pasgoditjet mund të jenë fatale për shkak të dëmtimit të strukturave të ndërtesave.

Në Interaktiv të KTV-së, Mustafa ka thënë se është faktori njeri që ka kaq shumë viktima nga ky tërmet në Shqipëri, kur dihet se është ajo është zonë aktive.

“E kemi përjetuar shumë rëndë dhe sidomos që numri i viktimave veç po rritet. Shihet se ka pasur një pakujdesi nga vet ndërtuesit. Dhe rreziku nga këto lëkundje vjen nga vet faktori njeri. Kjo tregon se faktori njeri e ka bërë këtë krizë. Faktikisht e dimë se ndërtimet janë bërë pa kurrfarë kriteri. E dimë se Shqipëria është një territor i prekur nga tërmetet”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se Shqipëria është shumë afër kontaktit të pllakave nga Afrika dhe Azia me ç’rast është krijuar një pllakë shtesë dhe për këtë krijohen tërmete të tilla.

Sipas Mustafës duhet të bëhet kujdes me lëkundjet me intensitet më të vogël, pasi ato mund të jenë shumë fatale.

“Deri më tani kemi afër 40 goditje, e pasgoditje dihet se janë shumë të rrezikshme pasi nëse janë dëmtuar elementet strukturore atëherë edhe këto mund të jenë fatale. Nga viti 1979 sot është tërmeti më i madh që është goditur Shqipëria. Në vendet e zhvilluara, siç është Japonia mund të shpëtojë pa viktima, megjithatë është shumë e vështirë të shpëtohet pa viktima me një tërmet me fuqi të tillë”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka thënë se ka ndier edhe paragoditjet, që kanë qenë katër, dhe ka dyshuar se mos po krijohet edhe një goditje e madhe dhe s’ka shkuar gjatë kur kjo ka ndodhur.

Ai thotë se me këtë rast territori i Kosovës është goditur me 5.5 ballë.

“Në bazë të hartës së rrezikut sizmik për 50-100 vite Kosova mund të goditet me një tërmet 6-6.2, por në kohë më të shkurtë Kosova mund të goditet deri në 5 shkallë që në fakt është shumë e rrezikshme, por kjo varet edhe nga cilësia e ndërtimit të objekteve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se zonat më të rrezikuara nga tërmetet janë tri: Leposaviq – Mitrovicë, Istog- Prizren, dhe Gjilan – Ferizaj.

Sipas tij minimumi Kosova goditet nga dy tërmete brenda javës, por që janë shumë të vogla.

“Rrisku sizmik do të thotë dëmet e pritshme nga një tërmet që e paralajmërojmë. Institucionet e zyrtarët që kanë lejuar ndërtimin e objekteve duhet të mbajnë përgjegjësi. Çdo ndërtesë që krijohet duhet të ketë edhe studim mikro-sizmik. Shumë pak e kanë marrë parasysh këta parametra. Për lagjen Ulpiana e kemi bërë këtë studim si dhe në Gjilan, por nuk e di se sa u janë përmbajtur këtyre parametrave”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se duhet të fillohet të merren parasysh këto studime sizmike para se të ndërtohen objektet, sidomos ato mbi 6 katëshe.

“Duhet të fillohet, pasi është në pyetje jeta e qytetarit. Duhet të përdoren kodet sizmike evropiane dhe duke u bazuar në parametrat që dalin nga ato studime sizmike duhet të bëhen edhe ndërtimet. Në koren e tokës janë disa pllaka tektonike që në fakt lëvizin, kur korja e tokës në kontakt me temperatura të larta ndodhin shpërthimet gjë që shkakton lëkundje”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se nuk do të ketë tërmet të të njëjtës shkallë në Shqipëri.

“Janë lajme të rreme vetëm sa për të krijuar panikë dhe për klikime. Megjithatë, tërmetet e vogla nuk bën të injorohen pasi mund të jenë katastrofike”, u shpreh Mustafa.

Të ngjashme