Pastrimi i Kosovës kalon pritshmëritë, “Let’s Do It” kishte sfida gjatë aksionit

Prishtinë | 01 Jan 2019 | 08:37 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Ta Pastrojmë Kosovën” ishte fushata tre mujore e pastrimit të Kosovës, të cilën e filloi organizata “Let’s Do It Kosova”, por që u mbështet edhe nga institucione dhe nga qindra vullnetarë të shoqërisë civile.

Kjo fushatë ka kaluar të gjitha pritshmëritë, ku u pastruan afër 900 lokacione me 893 deponi ilegale.

Drejtori ekzekutiv të “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, për Ekonomia Online, tha se është ngritur vetëdija e qytetarëve për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit.

“Kosova është shumë më e pasur se sa para 15 shtatorit, pra janë afër 900 lokacione të pastruara në të gjitha komunat e Kosovës por mbi të gjitha, shoqëria jonë është shumë më e vetëdijshme për rolin e tyre në ruajtjen e mjedisit. Në fakt ky ka qenë edhe misioni kryesorë i ” Ta Pastrojmë Kosovën ” që ta ngritim vetëdijen e qytetarëve që t’i mobilizojmë institucionet që të kemi rezultate më të mira për situatën mjedisore në vend”, tha Hasanaj.

Por për këto tre muaj, Hasanaj thotë se kanë pasur edhe sfida, një prej të cilave, sipas tij ka qenë në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hasanaj ka thënë se për shkak të logos së Qeverisë në bluzat e “Let’s Do It Kosova”, qytetarët serbë kanë hezituar t’i veshin.

“Prandaj kur kemi shkuar atje jemi përballë me kritika besa, jemi përballë besa edhe me kërcënime shumë herë që neve na shiheshin si qeveri do të thotë nuk e kuptonin që ne jemi vetëm një grup organizatë e cila po donë të shkojë ta bëjë një punë të mirë praktiken vërejte për komunën e tjera. Ka filluar prej diçkaje që ishte teknike, ju e dini që ka fillu prej anës logjistike që ne i ofrojmë maicat e “Ta pastrojmë Kosovën” e kanë pas logon e Qeverisë në krahë dhe e para ka qenë refuzimi fillimisht për t’i vesh ato maica shumë qytetarë të asaj ane, por në fund të gjithë patën mirëkuptim dhe ata pranuan që të dalin në aksione”, tha Hasanaj për Ekonomia Online.

Sfidë tjetër, sipas Hasanaj, kanë qenë edhe lagjet e komuniteteve tjera.

“Po me bjen në mend tani Fushë Kosova, ajo lagjja rome atje mandej kemi Plemetini, mandej Mitrovica, pra janë disa lagje që kanë qenë në situatë me të vërtetë të keqe dhe ka qenë sfiduese për ne që të shkojmë atje që të përballemi në radhë të parë me komunitetin që jeton aty sepse vetëdija e tyre nuk është që është në nivelin më të mirë, duke fillu që prej kujdesit për mjedisin por edhe në anën tjetër për t’i ditur cilat janë mënyrat se si do të duhej të zgjidhej ajo situatë”, u shpreh Hasanaj.

Drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, ka thënë se pothuajse të gjitha komunat kanë ndarë lokacione për ndarjen e mbetjeve ndërtimore, ndërsa ka treguar që mbeturinat e hequra nga vendet publike janë dërguar në gjashtë deponitë legale të Kosovës me vendim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Po normalisht me vetë faktin që 893 lokacione ka pas aksione dhe ka pas njerëz aty, kjo tregon që vetë pjesëmarrja e jep shembullin. Në anën tjetër vetëm me 15 shtator diku mbi 100 mijë qytetarë kanë dalë kanë pastruar lokacione me mbetje, pastaj gjithmonë kanë marrë pjesë në të gjitha aksionet, kemi parë qytetarë qe janë bashku, pra nëse i kemi pas përafërsisht 20 mijë njerëz të cilët janë bërë pjesë ë një mënyre apo tjetre e aksionit kjo do të thotë që janë 200 mijë ndotës më pak”, pohoi Hasanaj.

Sa i përket komunave përfituese për grantin 1.2 milionë euro nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Hasanaj thotë se është herët për të gjykuar se cilat mund të jenë potenciale për këtë grant.

“Pra janë tetë pika të cilat janë të vendosura prej Ministrisë së Mjedisit dhe do të vlerësohen secila absolutisht që është e rëndësishme numri i deponive por po them, është mobilizimi i komunës, është përfshirja e publikut, është përfshirja e kompanive, është numri i gjobave të shqiptuara për ndotësit. Pra me 10 janar do të jetë konferenca përmbyllëse e fushatës dhe aty do të mbahet shpallja e fituesve”, tha Hasanaj, raporton Ekonomia Online.

Nga 158 shtete për organizim të fushatës së pastrimit, Kosova pritet të jetë lider për pastrimin e vendit.

Këtë e pohon Hasanaj, teksa e quan si lajmin më të mirë të mundshëm.

“Do të jetë dita botërore e pastrimit në shtatorin e vitit 2020 dhe “Let’s do it World”  ka vendosur që tanimë qendra e organizimit të ju takojë njërës prej shteteve e cila ka tregu më shumti rezultat dhe kjo do të ishte lajmi më i mirë për të gjithë se nëse vendoset që Kosova të jetë atëherë do të jepen shumë mundësi për njerëzit e Kosovës që të bëhen pjesë e kësaj fushate”, pohoi Hasanaj.

Hasanaj premton se fushata për pastrimin e Kosovës do të ketë edhe në vazhdimësi.

Përndryshe, kjo fushatë, mori vëmendjen edhe të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, i cili personalisht kishte marrë pjesë në disa prej aksioneve të pastrimit.

Prapa tij nuk mbeti as kabineti qeveritar, duke filluar nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili ishte nga mbështetësit kryesorë të fushatës, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Më tej, morën pjesë kryetarë komunash, pjesëtarë të FSK-së, artistë, deri tek qytetarët që të organizuar dolën në ndihmë.

Të ngjashme